Foto: REL/Shutterstock

Qytetarët e bizneset, 637 milionë euro borxhe shtetit

637 milionë euro borxhe ndaj shtetit janë evidentuar nga Raporti i Vjetor i Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Auditori ka gjetur se gjithsej vlera e deklaruar e borxheve në Raportin Vjetor 2019, për nivelin qendror dhe lokal arrin në 634 milionë e 643 mijë e 816 euro, ndërsa sipas auditimit vlera e borxheve pas auditimit është 637 milionë e 148 mijë e 819 euro. Pra, është një dallim prej 2,505,004 eurove, për nivelin qendror dhe lokal.

“Kjo mosshpalosje e saktë është si pasojë e mungesës së një strukture formale për raportimin, mbikëqyrjen dhe konsolidimin e të dhënave si dhe për shkak të gabimeve pothuajse teknike gjatë bartjes së shënimeve nga PF në RVF, me rastin e përgatitjes së pasqyrave të konsoliduara”, thuhet në Raport.

Borxhet ndaj shtetit në nivelin qendror

Auditori thotë se borxhet ndaj shtetit në nivelin qendror, në Raportin Vjetor për vitin 2019 janë 452 milionë e 231 mijë e 815 euro, e cila gjatë auditimit, është vërejtur se është mbivlerësuar për 303,581 euro.

Sipas Raportit, gabimet ishin në Ministrinë e Shëndetësisë që është mbivlerësuar për 189,481 euro.

“Shkaku i mbivlerësimit ishte se disa departamente kishin bërë gabime gjatë raportimit”, thuhet në raport.

Një tjetër mbivlerësim Auditori ka gjetur në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ku borxhet janë mbivlerësuar për 114,100 euro.

“Shkaku i mbivlerësimit të llogarive ishte se vlera prej 114,100€ e të hyrave të realizuara ishte përfshirë gabimisht në kuadër të gjendjes së llogarive”, thuhet në Raport.

Zyra Kombëtare e Auditimit në këtë raport thotë se 89% e borxheve të nivelit qendror janë në Doganë dhe ATK, respektivisht nga Ministria e Financave, që shifra e audituar është 404 milionë euro.

“Krahasuar me vitin paraprak, Ll/A te niveli qendror karakterizohen me një trend pozitiv në ulje për 1.7%. Ll/A e vitit 2019 janë 452,231,815€, ndërsa ato të vitit 2018 ishin 460,029,786€”.

Borxhet ndaj shtetit në nivelin lokal

Sipas Raportit, bilanci i borxheve ndaj shtetit në 34 komuna të vendit arrin në 182 milionë e 412 mijë e 308 euro, ndërsa sipas auditimit, është 185 milionë e 220 mijë e 893 euro.

Pra, auditimi ka nxjerrë në pah një nënvlerësim prej 2,808,585 euro te niveli lokal.

“Nënvlerësimi i Ll/A ishte 3,157,387€ dhe mbivlerësimi për 348,800€, që në fakt efekti total për nivelin lokal rezulton në nënvlerësim për 2,808,585 euro”, thuhet në Raportin e Auditorit.

Auditori ka gjetur se 8 komuna nga 34 sa janë gjithsej në Kosovë ka pasur nënvlerësime dhe mbivlerëisme.

Në Komunën e Prishtinës janë vërejtur 2,621, 385 euro nënvlerësime. Shkaku, sipas Auditorit, ishte se komuna nuk ka harmonizuar saldot përfundimtare të kartelës së borxheve për tatimin në pronë me saldot fillestare, mos konsolidimit të llogarive nga lejet e ndërtimit si dhe mosshpalosja e tyre për taksat për rregullimin e infrastrukturës.

Në Komunën e Mitrovicës janë vërejtur 338,649 euro nënvlerësime. Shkaku i mosraportimit të saktë ishte se komuna nuk kishte përfshirë edhe saldon e llogarive për vitin paraprak.

Në Komunën e Prizrenit janë gjetur 117, 220 euro. Shkaku i nënvlerësimit, sipas Auditorit, ishte se komuna e Prizrenit gjatë vitit 2019 kishte bërë kërkesë në ministrinë e Financave që të lirohen objektet publike komunale nga tatimi në pronë. Në anën tjetër, Ministria e Financave kishte aprovuar kërkesën e komunës së Prizrenit, por faturimi për ato objekte ishte bërë gjatë tre mujorit të parë të vitit 2019.

“Ndërsa sipas auditimit kjo vlerë është dashtë të përfshihet në gjendjen e llogarisë përfundimtare. Ndërsa, shkaku i mos arkëtimit ishte mungesa e mekanizmave adekuat të arkëtimit”, thuhet në Raport, për Komunën e Prizrenit.

Në Komunën e Kaçanikut janë gjetur 45, 966 euro nënvlerësime. Shkaku ishte te mungesa e evidencës së plotë për shumën e llogarive.

Tek Komuna e Parteshit janë vërejtur 18,350 euro nënvlerësime. Sipas Auditorit, nuk ka ndonjë shpjegim konkret në pyetësorët e auditmit lidhur me këtë diferencë.

Në Komunën e Deçanit janë gjetur 15,979 euro nënvlerësime. Gjithashtu edhe në këtë komunë nuk ka ndonjë shpjegim konkret në pyetësorët e autidimit lidhur me këtë diferencë.

Ndërsa në tri komuna janë gjetur mbivlerëisme të borxheve.

Në Komunën e Kllokotit janë gjetur 268,250 euro mbivlerësime. Nuk ka ndonjë shpjegim konkret në pyetësorët e auditimit lidhur me këtë diferencë.

Në Komunën e Ferizajt janë gjetur 28,944 euro mbivlerësime. Sipas Auditorit, shkaku i kësaj diference ishte mungesa e një databaze si dhe mungesa e komunikimit formal në mes departamenteve.

Si dhe tek Komuna e Graçanicës është gjetur 51,606 euro mbivlerësime në borxhe. Shkaku i kësaj diference, sipas Auditorit, është mos harmonizimi i saldos përfundimatare.

Në borxhet ndaj shtetit në nivelin lokal përfshihen të arkëtueshmet nga tatimi në pronë, taksat në biznes, taksat për shërbimet e mbeturinave, qiratë dhe të tjera.

“Kjo kategori dominohet nga ajo e tatimit në pronë në të cilat përfshihen ngarkesat aktuale si dhe kamatat e dënimet për mos kryerje të obligimeve të mëhershme”.