Ndërprerja e energjisë elektrike Foto: KALLXO.com Foto: KALLXO.com

Qytetarët ankohen për ndërprerje të gjata të rrymës, KEDS po arsyetohet me ‘prishje’

Tash e disa ditë Kosova është duke u përballur me reduktime të rregullta të energjisë si pasojë e krizës me prodhim e furnizim.

KEDS kishte bërë të ditur se ndërprerje është e planifikuar 8 orë me energji dhe 2 orë pa energji, por një vendim i tillë nuk po përfillet nëpër të gjithë vendin.

Banorë të lagjeve të ndryshme të kryeqytetit kanë raportuar për ndërprerje deri në 20 orë.

Diellon Gjonbalaj, banor i lagjes ‘Mati 1’ ka thënë se gjatë ditës së djeshme nuk kanë pasur energji nga mëngjesi deri në mesnatë, deri tani kanë vetëm në një fazë.

“Dje kemi qenë afër 18 orë pa rrymë nga orët e hershme të mëngjesit deri në 12 të natës, aktualisht kemi energji vetëm në një fazë, që po na pamundëson t’i përdorim të gjitha pajisjet, madje as radiatorët nuk po guxojmë t’i lëshojmë”, ka thënë Gjonbalaj.

Ai tha se kanë lajmëruar KEDS-in për këtë problem, por këta të fundit u kanë thënë se janë të informuar dhe do sanojnë defektin.

Situatë të ngjashme ka raportuar edhe Ramush Sherifi, banor i lagjes ‘Kodra e Trimave’ i cili tha se prej mbrëmë nuk kanë energji elektrike.

Ai tha se reduktime kanë pasur edhe ditëve tjera, por kjo e fundit ka qenë më e gjata.

“Ka më shumë se 12 orë që në rrugën ‘Rexhep Kabashi’ në Kodrën e trimave jemi pa energji elektrike. Këso reduktime kemi tash e sa ditë, se po thonë që kanë bërë punime në rrjet, por kjo nga mbrëmë është më e gjata”, tha ai.

Sherifi tutje shtoi se reduktimet nuk janë 8 me 2 siç është thënë në media, pasi kanë ndërprerje disa herë brenda orës.

“E di që kanë thënë se do jenë 8 me 2 këto reduktimet, por ditë më parë brenda një orë është ndalë rryma çdo 10 minuta, nuk e di çfarë pune është ajo”, shtoi Sherifi.

Shkumbin Hajdini, banor i lagjes ‘Kalabria’ tha se në rrugën ‘Agim Çelaj’ janë pa energji elektrike në dy ditët e fundit.

Ai tha se kanë lajmëruar KEDS-in, por këta të fundit u kanë thënë se gjithçka është në rregull.

“Jemi gati 200 banorë në rrugën ‘Agim Çelaj’ në lagjen Kalabria në kryeqytet pa energji në dy ditët e fundit. I kemi telefonuar KEDS-in, por na thonë se gjendja është në rregull dhe po na shmangin”, ka thënë Hajdini.

Probleme me ndërprerjen e energjisë elektrike janë duke pasur edhe në qytete tjera.

Adelina Hajrullahu nga fshati Përlepnicë i Gjilanit tha se ditët e fundit janë duke u përballur me ndërprerje të mëdha të energjisë.

Ajo shtoi se edhe atëherë kur kanë energji, është shumë e dobët dhe po u prishem pajisjet në shtëpi.

“Dje prej orës 2 pasdite deri në 11 të mbrëmjes nuk kemi pasur rrymë në fshatin Përlepnicë, edhe sot është situatë e ngjashme, e kanë ndal në orët e hershme dhe aktualisht jemi pa energji. Edhe atëherë kur po e lëshojnë është shumë e dobët dhe po na prishen pajisjet”, ka thënë Hajrullahu.

Tutje ajo shtoi se kur thërrasin në KEDS u lajmërohet sekretaria me disa të dhëna shabllon për prishje e punime në rrjet.

Bujar Ejupaj, drejtor i sistemit të operimeve në KEDS ka dhënë disa sqarime se përse po ka reduktime më shumë se dy orë nëpër disa zona.

“Lidhur më ndërprerjen e energjisë më shumë se dy orë në disa zona mund të them se planifikimet tona zbatohen në përputhshmëri, por ajo që ndodhur janë mbingarkesat e mëdha në sistem që shpesh ka ardhur deri tek djegia e kabllove e nënstacioneve”, shtoi Ejupaj.

Ai madje tha se ekipet tani janë duke punuar në lagjen ‘Kodra e Trimave’ ku nuk ka energji nga nata e djeshme si pasojë e djegies së nënstacionit.

“Për të dëshmuar këtë ne tani mund të shkojmë në lagjen ‘Kodra e Trimave’ ku ekipet janë duke punuar prej mbrëmë në një nënstacion, për herë të tretë. Pra, ne planifikimet I përfillim, afër 97 për qind ka shkuar sipas planit, por këto kanë ndodhur si shkak I mbingarkesave”, shtoi ai.

Ndërsa ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli sot gjatë ditës ka shkruar se janë duke përgatitur një dosje për të dorëzuar në Polici pasi që ka ankesa të shumta nga qytetarët për ndërprerje të gjata të rrymës.

Rizvanolli madje ka prezantuar edhe një e-mail ku qytetarët mund të ankohen për reduktime të gjata të energjisë elektrike.