Protesta e thirrur për viktimat në Novi Sad, Mitrovicë e Veriut, 27.01.2025 -Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

Qytetarë të komunitetit serb sërish protestuan në Mitrovicë të Veriut në mbështetje të protestave në Serbi

Qytetarë të komunitetit serb në një tubim në Mitrovicë të Veriut, të hënën, më 27.01.2025, kanë mbajtur 15 minuta heshtje për personat që vdiqën nga shembja e çatisë së Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, ngjarje tragjike që ka ndodhur më 01.11.2024.

Sikurse të premten, më 24.01.2025, qytetarët protestuan edhe të hënën më 27.01.2025 afër Fakultetit Filozofik në Mitrovicë të Veriut.

Në mesin e protestuesve kishte edhe studentë të Universitetit që gjendet në Mitrovicë të Veriut.

Qytetari Milentije Jakshiq shprehet mirënjohës për studentët që ngrenë zërin, ndërsa i zhgënjyer me Qeverinë e Serbisë.

“Ka ardhur koha. Populli ka duruar 10 vite padrejtësi nga kjo qeveri. Studentëve, profesorëve të tyre, u jam pafundësisht mirënjohës në emrin tim dhe mendoj, edhe në emër të qytetarëve të Kosovës që kanë drejtuar kërkesën që institucionet përkatëse shtetërore të merren me punën e tyre, ndërsa ato që nuk janë kompetente të mos ndërhyjnë”- tha ai.

Për dhjetë vite, siç thotë ai, nën pushtetin aktual në Republikën e Serbisë, Milentije Jakshiq ka kritika për subjektin – Partia Progresive Serbe.

“Për fatin tonë të keq, dhe për fatin e mirë të të tjerëve të cilët janë pasuruar falë ardhjes së Partisë Progresive Serbe. Shumë njerëz kanë lënë këto vatra, kanë marrë me vete fëmijët e tyre, brezat më të rinj dhe më të vjetër. Shumë prej tyre nuk mund as të vijnë për të vizituar trojet e paraardhësve të tyre”- tha Jakshiq.

Milentije Jakshiq- qytetar

Organizatori i kësaj proteste, Sërxhan Gjorgjeviq tha para mediave se ndihet krenar që e ka përcjellë këtë mesazh te studentët dhe thekson faktin se në këtë protestë, sipas tij, nuk kishte profesorë.

“Unë mendoj që mund të kenë qenë disa (profesorë) apo asnjë fare. Ndoshta janë duke na shikuar nga dritarja dhe shpresoj që një ditë të ndjejnë turp”- tha ai.

Sërxhan Gjorgjeviq – organizator i protestës
Policia e Kosovës, 27.01.2025Të premten, më 24.01.2014 qytetarë serbë protestuan për të njejtën çështje- për viktimat në Novi Sad.

Pas 15 minutash heshtje, protestuesit brohoritën “Vuçiqi në burg”, duke aluduar në presidentin e Serbisë.

Të pranishëm ishin ish-zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim i Qeverisë së Kosovës, Radoica Radomiroviq dhe lideri i partisë Demokracia Serbe, Aleksandar Arsenijeviq.

Në vendin e ngjarjes u panë edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët e përcollën ngjarjen edhe me dron.

Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë–Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani, ka thënë se protesta kaloi e qetë.

Studentët në Serbi përmes protestave nga nëntori i 2024-ës po kërkojnë përgjegjësi institucionale pas vdekjes së 15 personave nga shembja e çatisë në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, më 01.11.2024.

Ndërkohë në të gjithë Serbinë është mbajtur të premten (24.01.2025) një grevë e përgjithshme, teksa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar për themelimin e “lëvizjes për popullin dhe shtetin”.

Greva e përgjithshme ose “mosbindja e përgjithshme civile”, siç e quajnë studentët ndryshe, nënkupton ndërprerje të plotë të punës dhe të çdo aktiviteti tjetër të përditshëm, si: shkuarja në dyqane apo restorante, kinema, teatër e të tjera. Në mbajtjen e grevës së përgjithshme, qytetarët janë ftuar nga studentët, të cilët për më shumë se dy muaj bllokojnë fakultetet, duke kërkuar përgjegjësi penale dhe politike për vdekjen e 15 personave në Novi Sad.

Gjatë protestave, mediat kanë raportuar se një vajzë është lënduar kur një makinë ka goditur një grup studentësh dhe qytetarësh në Beograd të Ri. Ajo është dërguar në një qendër të emergjencës për trajtim mjekësor.

Radio Evropa e Lirë ka raportuar se kërkesat e studentëve për ndalimin e bllokadave përfshijnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin e 1 nëntorit 2024.

Ata gjithashtu kërkojnë që sulmuesit ndaj demonstruesve nëpër Serbi, gjatë protestave që pasuan aksidentin, të identifikohen dhe të përballen me përgjegjësi penale.

Kërkesat përfshijnë edhe lirimin e aktivistëve të arrestuar gjatë protestave, ndalimin e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për universitetet.

Autoritetet në Serbi pretendojnë se në organizimin e protestave të studentëve janë të përfshira shërbimet e huaja të inteligjencës dhe se mes studentëve ka “mercenarë të huaj”.

Sipas tyre, këtë e dëshmon fakti se bllokadat e studentëve nuk ndalen, edhe pse kërkesat e tyre janë plotësuar – gjë që hidhet poshtë nga studentët.

Edhe gjatë adresimit në Jagodinë, Vuçiq pretendoi, pa ofruar dëshmi, se Serbia po sulmohet “nga jashtë dhe brenda”.

Përndryshe, Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Novi Sad ka ngritur aktakuzë kundër 13 personave në lidhje me shembjen vdekjeprurëse të strehës në Stacionin Hekurudhor të qytetit.