Takim i qytetarëve dhe shoqërisë civile me Ministrin Blerim Kuçi. FOTO-KOSID

Ministri i Mjedisit ndihet "i turpëruar" nga degradimi i lumit në Deçan

Një grup qytetarësh dhe përfaqësuesish të shoqërisë civile janë takuar me ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, nga i cili kanë kërkuar të ndalë degradimin e tokës, ujit dhe natyrës në Grykën e Deçanit ku po operon kompania Kelkos Energy.

Në këtë takim ishin përfaqësues nga organizatat që merren me mbrojtjen e ambientit dhe të ujërave si Pishtarët, KOSID, Mos Ma Prek Lumbardhin, Grupi për Mbrojtjen e Ujërave dhe Mjedisit dhe banorë të afektuar nga degradimi i natyrës në fshatrat e Deçanit.

Kelkos Energy, kompani Austriake ka ndërtuar dhe operon me disa hidrocentrale në Parkun Kombëtar te Bjeshkëve të Nemuna të Kosovës, më saktësisht në Luginën e Deçanit, e cila është e mbrojtur nga Ligji për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.

Shpresa Loshaj, përfaqësuese e organizatës joqeveritare “Pishtarët” kërkoi nga ministri që sa me parë të fillojë rehabilitimi dhe të përmbushen obligimet që i ka KELKOS-i para se t’i lëshohet leje ujore e mjedisore prej ministrisë së ambientit.

“Kërkojmë të plotësohen kushtet që Kelkos është dashur deri tash t’i plotësojë në bazë të obligimeve që i ka: 1. Rehabilitimi i Grykës së Deçanit; 2. Të ndërtohet bazeni akumulues ose/dhe të rehabilitohet Zalli i Rupes-me ndihme te eksperteve te pavarur. 3. Të zbatohet ligji i cili thotë që 30% e lumit duhet të lihet në rrjedhën e tij e jo të futet i tëri në gypa.4. Të përmbushën të gjitha obligimet e Kelkosit ndaj komunës së Deçanit, në mënyrë retroaktive, sipas marrëveshjes kontraktuese”, u deklarua Loshaj.

Ardian Ndrecaj, përfaqësues i “Grupit për Mbrojtjen e Ujërave dhe Mjedisit” tha hidrocentrali në Deçan nuk është dhënë me koncesion ashtu siç duhet të jepen hidrocentralet në Kosovë.

Ndërsa tutje Ndrecaj ka thënë që KELKOS ka bërë katër shkelje ligjore sa i përket hidrocentraleve në Deçan.

“Ne rastin e Kelkosit janë bërë 4 shkelje ligjore, 1. Sipas ligjit në Kosovë hidrocentralet duhet të jepen me koncesione e ky nuk është dhënë me koncesion, 2. Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis për këto hidrocentrale është studim që duhet të ishte bërë nga një kompani e licencuar vendore që s’është bërë në këtë rast, 3. Ministria ka dhënë pëlqim mjedisor përderisa kompania nuk i ka përmbushur kushtet e rehabilitimit të natyrës dhe 4. Kelkos është lejuar të shes rrymë pa e pas lejen mjedisore, e ligji thotë që ai nuk guxon me shit rrymë pa e pas lejen mjedisore, ligji është shumë i qartë”, tha Ndrecaj.

Bajram Gjocaj, banor i Bjeshkës së Deçanit shpjegoi se si është ndikuar nga dëmet e shkaktuara nga Kelkosi për shkak të një grope që ky investitor ka lënë pas punimeve.

“Gropën qe ka lënë pas Kelkosi para stanit tim ka shkaktuar që disa herë me ndodh që me i marrë familjen e me dalë ne shpat për shkak se gropa është mbush me ujë dhe ka pas vërshime. A ka vend ne botë qe i lë fëmijët e rrethuar me gropa e ujë?”, është shprehur Gjocaj. Në anën tjetër Arben Qorraj, banori tjetër i kësaj bjeshke tha se është shkatërruar flora dhe fauna në këtë pjesë

“Është shkatërruar flora e fauna, për shkak se është ndal rrjedha e lumit. Jam shumë i zhgënjyer dhe shpresoj që këto fjalë tona nuk po hasin sot në vesh të shurdhër”, theksoi Qorraj.

Ministri Blerim Kuçi, i cili është i njohur më këtë rast tha se do të punojnë aq sa munden.

“Çështjen e ndërtimit dhe vrazhdësinë e ndërtimit e kam shumë të qartë. Ne do të mundohemi të insistojmë në përmirësimin e këtyre kushteve sa të mundemi. Kërkesat tuaja janë legjitime dhe kemi me u mundu me i adresu” tha Kuçi.

Ndërsa tutje Kuçi tha se nuk ka shkuar t’i shohë dëmtimet për shkak se i ka ardhur marre për ato degradime.

“Nuk kam shku me e pa se më ka ardh marre se çka ka ndodh aty. Por gjithashtu ju duhet ta keni të qartë që unë s’kam qenë më parë në këtë post dhe nuk jam përgjegjës për këtë degradim si dhe duhet të punojmë t’i adresojmë këto çështje sa të mundemi sepse unë sot jam këtu e nesër s’jam”, shtoi Kuçi.

Kuçi gjithashtu shpjegoi se si lejet për ndërtimin e hidrocentraleve janë dhënë në kohën kur Kosova ka qenë në presion të arrijë obligimin që ka dhënë te partnerë ndërkombëtarë që rreth 30% të rrymës së prodhuar në vend do të jetë prej burimeve të ripërtëritshme. Por, ai e theksoi njëkohësisht që është i vetëdijshëm që Kosova ka shumë pak ujë.

Aktivistët ngritën shqetësimin që është e çuditshme që një investitor si Kelkos/Kelag thirret që është evropian por ka shkaktuar probleme ambientale me hidrocentrale që i ka në vendet tjera të Ballkanit dhe nuk ka faqe të internetit, as informata kontaktuese, gjë që e bën jotransparente këtë kompani dhe njerëzit që afektohen prej punës së kësaj kompanie nuk kanë ku t’i adresojnë pyetjet e tyre e të informohen për këtë biznes.

Përfaqësuesit e KOSID në këtë takim e informuan ministrin e ambientit që rasti i Kelkosit është nën hetime nga prokuroria e Kosovës, gjë për të cilën ata janë informuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë të cilëve KOSID ju ka kërkuar informatë se sa rrymë prodhon KELKOS prej këtyre hidrocentraleve. Si pretekst se ‘janë nën hetime’ ZRrE nuk kishte dhënë qasje në informata duke e thyer kështu Ligjin për Qasje në Dokumente Publike sipas të cilit informatat duhet të jenë të hapura për publik përderisa gjykata s’ka ndonjë vendim që këto informata janë konfidenciale.

Në takimin që u mbajt në ndërtesën e Ministrisë morën pjesë edhe Gani Berisha, Drejtor i Departamentit të Ujërave, Muhamet Malsiu, Drejtor i Departamentit për Mbrojtjen e Mjedisit, Muharrem Nitaj, zv. Ministër dhe Uran Haxha, këshilltar. Në takim mungoi drejtori i Inspektoratit të ministrisë së ambientit, departamenti që është përgjegjës për mbikëqyrjen e përmbushjes së kushteve mjedisore prej operatorëve ekonomik apo personave juridik që e prishin ambientin.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për çështjet e ndërtimit të hidrocentraleve dhe ato mund t’i lexoni në këtë LINK.