Quni tregon çfarë i tha Vjosa Osmanit pas incidentit me Xhavit Ukajn

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni, i ftuar në intervistë përballë Jeta Xharrës në Kallxo Pernime, ka folur në lidhje me incidentin e Kryeparlamentares, Vjosa Osmani me deputetin e LDK-së, Xhavit Ukaj.

Quni ka thënë se pas këtij incidenti që kishte ndodhur në Kuvendin e Kosovës, i ka dërguar mesazhe Vjosa Osmanit.

“Unë kam shkëmbyer mesazhe me Vjosa Osmanin. E kam lut që mos me e marrë përzemër. Edhe me Xhavitin kam bisedu, edhe ia kam shpjegu Vjosës që natyra e Xhavitit, temperamenti e të tjera, nuk e pasqyron në fakt atë brendinë e tij. Kam pas edhe une konflikt me Xhavitin, por i kemi tejkalu”, ka thënë Quni.

Ai po ashtu ka deklaruar se ka qenë kundër përjashtimit të Vjosa Osmanit nga LDK-ja, duke thënë se këtë e ka shprehur përmes votës në parti, ndërsa ka deklaruar se shpreson që Osmani të mbetet brenda LDK-së.

“Mendimi im personal është i shprehur përmes votës. Unë kam qenë kundër përjashtimit të Vjosa Osmanit nga përgjegjësitë brenda partisë. Gjithmonë e kam konsideruar me vlerat, aftësitë, shkathtësitë me profilin e saj mundet me kontribu brenda LDK-së. Thjesht duhet me i kalu disa keqkuptime që janë ngrit. Ende e ushqej një shpresë që Vjosa Osmani do të mbetet brenda LDK-së”, ka thënë Quni.

Në korrik të 2020-ës gjatë një seance në Kuvend, deputeti Xhavit Ukaj i ishte vërsulur Vjosa Osmanit në foltoren e saj, pasi disa replikave në mes tyre.

Gjatë kohës sa Osmani po i jepte fjalën deputetes Ganimete Musliu, në këtë debat ka ndërhyrë deputeti Xhavit Ukaj nga LDK.

Osmani i ka replikuar deputetit duke i thënë “A po ulesh edhe mos bërtit, sepse jeni ju që më së shumti e keni përdor për 52 ditë fjalën paranojak, ulu ose kërkoj prej sigurimit me të qitë jashtë”, ka thënë Osmani.

Pas fjalës së Osmanit, deputeti Ukaj ka vazhduar përplasjen e tij me kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Pas kësaj, deputeti i është afruar deri tek ulësja kryetares së Kuvendit duke ju vërsulur.

Ndërpritet seanca, deputeti i LDK-së i vërsulet Osmanit