Kandidati për deputet nga LDK, Anton Quni. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Quni (LDK): Marrëveshjen për fabrikën e municionit do ta rishikojmë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në programin e saj “Rruga e Re” ka paraparë disa projekte që kanë të bëjnë me fushën e sigurisë në vend.

Tema e parë që është ngritur për diskutim në “Debat Përnime”, më 18.01.2025, nga kandidatët për deputetë të LDK-së, ishte çështja e prodhimit të municionit.

Për dallim me Qeverinë aktuale e cila tashmë ka nënshkruar marrëveshje me Turqinë për ndërtimin e fabrikës së parë të municionit, Anton Quni nga LDK, thotë se nga operatorët vendorë që merren me distribuimin dhe shitblerjen e teknologjisë ushtarake është kuptuar që Kosova nuk kapacitete të mjaftueshme për të investuar në këtë drejtim.

Ndërkohë, ai foli për projektin që LDK-ja ka paraparë në programin e saj, i cili quhet “Smart Defense” (Mbrojtje e Mençur). Përmes një projekti të tillë, sipas tij, parashihet të bëhet një organizim i përballueshëm buxhetor, duke zhvilluar disa programe ushtarake që munden me qenë në shërbim jo vetëm për Kosovën por edhe për vendet fqinje.

“Në marrëveshje me fqinjët e me shtetet mike do të zhvillojmë projekte ‘Smart Defense’. Me Shqipërinë mundet me u arrit marrëveshje për certifikimin e pilotëve për helikopterë … Kurse mirëmbajtja e automjeteve taktike e prodhimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të bëhet në Kosovë. Me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, me Kroacinë mundet me u arritë marrëveshje të përbashkëta për kontrollin e hapësirës ajrore”- ka thënë Quni.

Kandidate Quni foli në detaje edhe për koston e lartë që ka prodhimi i municionit, për ç’gjë tha se është e papërballueshme për Kosovën, meqë operatorët duan të hyjnë në konkurrencë me kompanitë që janë të njohura në fushën e prodhimit.

“Për një kalibër të vogël- për pistoletë 9mm, vetëm montimi i komponentës- që do të thotë gëzhoja, mbushja dhe predha, 1 trakë e montimit të këtyre komponentëve kushton miliona euro. Nëse flasim për prodhimin e çdo komponeteje, që të sigurohet baruti i kualiteteve të ndryshme, edhe gëzhojat e kalibrave të ndryshëm, predhat me veçori të ndryshme, filluar nga ato të mesingut, plumbit, çelikut e me mbushje klasike, që shënojnë drejtimin, që janë shpërthyese, deri te kalibrat më të rëndë- vetëm një vijë e prodhimit shkon në deri në 250 milionë euro”- tha Quni.

Tutje, ai foli edhe për rëndësinë e ruajtjes së partneritetit të Kosovës me shtetet mike, si në kohë paqeje ashtu edhe lufte.

“Momentin që ne fillojmë me qeveris, hapi i parë që do të jetë është rishikimi i sektorit të sigurisë, pra i strategjisë”- u përgjigj ai kur u pyet nëse do ta rishikojnë marrëveshjen e Qeverisë Kurti për Fabrikën e Municionit, apo nuk do ta prekin atë.

Quni tha se do të rishikojnë infrastrukturën ligjore dhe mundësitë financiare në lidhje me Fabrikën e Municionit.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.

Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

Lagje për ushtarakët, njësi të helikopterëve dhe “Smart Defence”: Zotimet e LDK-së për mbrojtjen