Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Quni: LDK-ja duhet të bëjë reforma

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni, ka thënë se LDK-ja duhet ta bëjë një analizë të brendshme dhe reforma, që t’i jepet hapësirë ideve të reja brenda partisë.

“Mendoj që LDK-ja duhet të bëjë një analizë të brendshme, duhet të bëjë reforma dhe t’u japë hapësirë ideve të reja. Për këto çështje nuk ka hezitim nga askush. Shpallen zgjedhjet e brendshme, zgjidhen delegatët, vendosin, kandidojnë. Çdonjëri e ka pasur mundësinë me kandidu”, tha Quni përballë Jeta Xharrës.

Quni po ashtu tha se nuk ka vijë të kuqe për asnjë parti shqiptare.

“Është krijuar një përceptim, për shkak të konflikteve, përplasjeve nga çështjet politike e deri tek personale me autoritetin e Thaçit e të Veselit. Për asnjë parti të shqiptarëve unë nuk kam vija të kuqe. Kjo do të trajtohet brenda LDK-së, unë do të jem pjesë e votimit kolektiv”, tha ai në Kallxo Përnime.

Ndërsa në lidhje me pozitën e presidentit, Quni deklaroi se do të përkrahë çdo personalitet që del nga LDK-ja.