QUINT-i kërkon nga Qeveria të mos ndërmarrë asnjë veprim të ri për t'u qasur në ndërtesat komunale në veri

Në një deklaratë të përbashkët, vendet e QUINT-it kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të mos ndërmarrë veprime të reja për t’u qasur në ndërtesat komunale në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Në deklaratë thuhet se veprime të reja të njëanshme do të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet me vendet e QUINT-it dhe të BE-së.

Vendet e QUINT-it thonë se janë të shqetësuar për sigurinë dhe mirëqenien e civilëve, policëve, anëtarëve të EULEX-it dhe KFOR-it.

Tutje është thënë se kryetarët e zgjedhur duhet gjithashtu të tregojnë përmbajtje dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të demonstruar përkushtimin dhe përgjegjësinë e tyre për të përfaqësuar dhe për t’u shërbyer të gjitha komuniteteve.

“Në të njëjtën kohë, ne i paralajmërojmë fuqishëm të gjitha palët kundër kërcënimeve ose veprimeve të tjera që mund të ndikojnë në një mjedis të qetë dhe të sigurt, duke përfshirë lirinë e lëvizjes, dhe që mund të nxisin tensionet ose të nxisin konfliktin” – theksohet në deklaratën e këtyre vendeve.

QUINT-i dhe BE-ja gjithashtu kanë theksuar se dialogu i lehtësuar nga kjo e fundit është rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe pranimit në Bashkim Evropian.

Në deklaratë u është rikujtuar palëve që të punojnë së bashku në hapat e ardhshëm për zbatimin e Marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në shkurt dhe mars të këtij viti, duke përfshirë edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe, dhe të marrin pjesë në mënyrë konstruktive dhe të sinqertë në takimet e ardhshme të dialogut.

Të premten pati tensione në veri të Kosovës. Tre kryetarët e rinj Izmir Zeqiri në Zubin Potok, Ilir Peci në Zveçan e Lulzim Hetemi në Leposaviq u futën në objektet komunale të këtyre qyteteve.

Veprimi i tyre u kundërshtua nga qytetarët serbë, të cilët u mblodhën para komunave, e për të shpërndarë turmën, zyrtarët policorë u detyruan të përdorin edhe gaz lotsjellës.

Përpos kësaj, në mesin e qytetarëve të mbledhur u panë edhe persona të maskuar, e madje edhe u dëgjuan të shtëna me armë zjarri.

Pesë zyrtarë policorë pësuan lëndime të lehta trupore, e disa vetura të Policisë u dëmtuan.

Dje dhe sot, situata duket e qetë në tri komunat.