QUINT-i i bën thirrje politikanëve që të përmbahen nga gjuha e urrejtjes dhe sulmet personale

Vendet e QUINT-it, përmes një deklarate të përbashkët u kanë bërë thirrje udhëheqësve politikë në Kosovë që të përmbahen nga gjuha nxitëse dhe sulmet personale për tu fokusuar me sfidat që përballet Kosova.

Ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara kanë theksuar se e ardhmja demokratike e Kosovës varet nga zgjuarsia e udhëheqësve.

“U bëjmë thirrje udhëheqësve politikë të Kosovës të diskutojnë lidhur me sfidat dhe mundësitë e shumta me të cilat përballet Kosova  pa fyerje dhe kërcënime. E ardhmja demokratike e Kosovës varet nga zgjuarsia e udhëheqësve të saj për të vënë një shembull pozitiv të diskursit shoqërorë dhe respektimin e lirisë së shprehjes. Çdo formë e gjuhës nxitëse, e në veçanti sulmet personale që synojnë promovimin e objektivave politike, mund të kontribuojnë në një atmosferë që inkurajon akte dhune. Qytetarët e Kosovës meritojnë më mirë”, thuhet në deklaratë.

Ditë më parë Kryeparlamentarja Vjosa Osmani është sulmuar verbalisht nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Në një intervistë në Klan Kosova, presidenti Thaçi la të kuptohet se babai i Vjosa Osmanit ka punuar për Serbinë dhe kërcënoi se këtë do ta bëjë “transparente” nëse këtë e kërkon ajo.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit Hashim Thaçi për familjen e saj.

Lidhur me këtë deklaratë, Vjosa Osmani tha se “gjarpri ka provuar të kafshojë nderin e familjes së saj”.

Edhe Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar ndaj deklaratës së Thaçit duke thënë se babai i Vjosa osmanit ka qenë i arrestuar nga policia serbe dhe nuk ka punuar për ta.

Në mbrojtje të Vjosa osmanit ka dalë edhe Ambasadori i Zvicrë në Kosovë, Jean Hubert Lebet duke e quajtur të paparanueshme gjuhën e përdorur ndaj saj.

Vjosa Osmani i reagon Hashim Thaçit për akuzat ndaj familjes së saj