QUINT: Dënojmë veprimet e Kosovës në veri, jemi të shqetësuar që Serbia ka vënë ushtrinë në gatishmëri

Pas ngjarjeve të sotme në veri të Kosovës, përmes një komunikate të përbashkët për media kanë reaguar edhe shtetet QUINT-i.

Ambasadat e Francës, Italisë, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë deklaruar se dënojnë vendimin e Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës pavarësisht thirrjes për përmbajtje.

“Ne dënojmë vendimin e Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, pavarësisht thirrjes tonë për përmbajtje. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës që menjëherë të tërhiqen dhe të de-përshkallëzohen dhe të koordinohen ngushtë me EULEX-in dhe KFOR-in. Dënojmë sulmet ndaj EULEX-it në Zveçan” – thuhet në reagim.

QUINT-i po ashtu ka shprehur shqetësim në lidhje me vendimin e Serbisë për të ngritur nivelin e gatishmërisë së Forcave të saj të Armatosura në kufirin me Kosovën, teksa u kanë bërë thirrje të gjitha palëve për përmbajtje maksimale.

“Jemi të shqetësuar nga vendimi i Serbisë për të ngritur nivelin e gatishmërisë së Forcave të saj të Armatosura në kufirin me Kosovën dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve për përmbajtje maksimale, duke shmangur retorikën nxitëse”- deklaron QUINT-i.

Që nga mesdita, në katër komunat e veriut të vendit është dëgjuar alarmi, ndërsa pranë disa objekteve komunale, si në Zveçan e në Zubin Potok, janë parë qytetarë të cilët kanë kundërshtuar futjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.

Pesë policë të Kosovës kanë pësuar lëndime të lehta trupore, pasi janë sulmuar nga protestuesit në Zveçan me mjete të forta dhe shok-bomba, ka konfirmuar Policia e Kosovës.

LIVE – Zhvillimet e fundit në veri