QRSS ban konferencë, 26 janar 2022

QKSS: Zbatimi në praktikë i Ligjit për infrastrukturën kritike mbetet sfidues

Në vitin 2018, Republika e Kosovës ka miratuar Ligjin për infrastrukturën kritike, ligj ky që ka hyrë në fuqi në prill të vitit 2019.

Ky ligj ka për qëllim për të ruajtur dhe mbrojtur infrastrukturën kritike kombëtare dhe evropiane, për të mbrojtur qytetarët e Republikës së Kosovës, parandaluar incidentet dhe minimizuar dëmin potencial për infrastrukturën kritike, pasurinë e përgjithshme, humbjet ekonomike dhe sociale, siguruar stabilitetin e qeverisë dhe rritur qëndrueshmërinë.

Gjatë ditës së sotme, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka publikuar raportin “Politikat e Qeverisë në Mbrojtën e Infrastrukturës Kritike”.

Në raportin e publikuar thuhet se, përkundër që miratimi i këtij ligji ka vendosur Kosovën një hap përpara shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor të cilat ende nuk kanë miratuar një ligj të tillë, zbatimi i ligjit në praktikë mbetet sfidues.

“Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ende nuk ka krijuar dhe funksionalizuar mekanizmin institucional brenda strukturës së saj, e cili është hap i parë dhe kryesorë në fillim të zbatimit të ligjit ndërsa ende nuk është nxjerrë asnjë akt nënligjor. Në anën tjetër Qeveria ende nuk ka ndërmarrë asnjë veprim në realizimin e obligimeve të saj që burojnë nga ligji”, thuhet në raport.

Në gjetjet kyçe të raportit përmendet se në fushën e terrorizmit, strategjia e re kundër terrorizmit  duhet të rishikohet dhe të planifikohen aktivitete në mbrojtjen e infrastrukturës kritike nga sulmet terroriste.

Ndërkaq në fushën e shërbimeve private të sigurisë, sipas raportit duhet të procedohet sa më parë me finalizimin dhe miratimin e ligjit të ri për shërbimet private të sigurisë.

Tutje, në raport thuhet se pas sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2001 dhe rritjes së kërcënimeve dhe rreziqeve nga terrorizmi, shtetet kanë filluar që të hartojnë apo avancojnë kornizën ligjore, institucionale dhe teknike në mbrojtjen e infrastrukturës kritike nga sulmet terroriste.

“Në anën tjetër, ekzistojnë kërcënime dhe rreziqe edhe nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera, prandaj mbrojtja e infrastrukturës kritike kërkon qasje gjithëpërfshirëse në reagim ndaj kërcënimeve dhe rreziqeve”, thuhet në raport.

QKSS-ja në raportin e publikuar gjithashtu ka hartuar 15 rekomandime drejtuar Qeverisë, Forcës së Sigurisë së Kosovës, MPB-së dhe ministrive apo institucioneve relevante.

Disa prej rekomandimeve janë krijimi dhe funksionalizimi i autoritetit për shqyrtimin dhe aprovimin e PSO-ve si dhe MPB të fillojë urgjentisht me hartimin e akteve përkatëse nënligjore dhe miratimin e tyre.

Miratimi i ligjit për sigurinë kibernetike dhe strategjia e re për sigurinë kibernetike në përputhshmëri me Strategjinë e BE-së për Siguri Kibernetike dhe legjislacionin e BE-së, është një ndër rekomandimet e QKSS-së.

Në konferencën e mbajtur të QKSS-së, të ftuar ishin edhe Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrojtjes por që të njëjtit nuk morën pjesë për shkak se kishin takim me Komisionin për Siguri Kombëtare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Këtu mund të gjeni raportin e plotë të publikuar nga QKSS.