Qortimi për targat ilegale, gjendje e qetë në veri të Kosovës

Po bëhen gati 24 orë nga fillimi i zbatimit të fazës së parë të vendimit të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin me targa RKS të automjeteve të serbëve të Kosovës, të cilët përdorin targa me akronime të qyteteve të vendit, të cilat nga institucionet kosovare po cilësohen si ilegale.

Faza e parë e procesit përfshin lëshimin nga Policia e Kosovës të një dokumenti të quajtur “Qortim”, i cili u lëshohet pronarëve të automjeteve me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”.

Faza e qortimit do të zgjasë deri më 21 nëntor 2022.

Faza e dytë zgjat dy muaj, pra deri më 21 janar 2023.

Gjatë kësaj faze, pronarët e automjeteve me targa ilegale do të gjobiten në bazë të ligjeve në fuqi.

Ligji për Rregullat e Trafikut Rrugor, më saktësisht neni 253 parasheh që nëse zyrtari policor has në një veturë të paregjistruar apo nuk ka targa të caktuara të regjistrimit duhet të dënojë vozitësin me gjobë 150 euro.

Gjatë këtyre dy muajve, pronarët që do të vendosin që t’i regjistrojnë automjetet e tyre në targa RKS do të kenë disa lehtësira, të cilat do të zbatohen deri më 31 mars 2023.

EULEX në Pikën e Kalimit Kufitar në Jarinjë, Foto: Shkodrane Dakaj/KALLXO.comPas 31 marsit, deri më 21 prill 2023, personat që do t’i kthejnë targat ilegale në RKS nuk do të jenë përfitues të këtyre lehtësirave.

Sipas vendimit të Qeverisë, pas 21 prillit 2023 automjetet me targa ilegale nuk do të lejohen të qarkullojnë në Kosovë.

Ekipi i KALLXO.com ka qëndruar sot në pjesën veriore të Kosovës, ku gjenden shumica e automjeteve me targa ilegale.

Ndonëse Policia ka lëshuar “Qortime” nuk ka pasur ndonjë reagim nga qytetarët në veri të vendit.

Situata ka qenë e qetë dhe nuk ka pasur asnjë incident.

Në rrugët që çojnë drejt pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak janë aty-këtu forca të Policisë së Kosovës, ushtarë të KFOR-it si dhe pjesëtarë të EULEX-it.

Këto janë pamjet nga veriu i Kosovës të realizuara sot gjatë ditës.