Foto: Vigan Qorrolli/Facebook

Qorrolli: Aktakuzat e sotme përfundimisht e ndalojnë ndarjen e Kosovës

Analisti politik, Vigan Qorrolli, ka prezantuar dy lexime të aktakuzës së ngritur nga Prokuroria e Specializuar ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

Qorrolli ka thënë se aktakuza është dorëzuar në Gjykatë më 24 prill, dy muaj më parë, kurse njoftimi është publikuar sot.

Ai këtë e ka lidhur me negociatat në Washington që do të zhillohen më 27 qershor.

“(Mund të) lidhet me negociatat e Washingtonit më 27 qershor, ku në tryezën e negociatave mes Kosovës e Serbisë — mund të ketë qenë zhbërja e Gjykatës Speciale. Kjo hipotezë përforcohet nga teksti i komunikatës së sotme të PSO”, ka shkruar Qorrolli në Facebook.

Së dyti, Qorrolli ka thënë se shpejti do të ketë zgjedhje parlamentare në Kosovë.

“Kjo për shkak edhe të dallimeve mes Evropës e Amerikës për të ashtuquajturën “ndarje” ose demarkim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Aktakuzat e sotme përfundimisht e ndalojnë ndarjen e Kosovës. Por asesi ky lajm i aktakuzave nuk është i mirë për vendin. E dobëson politikisht pozitën negociatore përballe Serbisë në White House”, ka thënë Qorrolli.

Qorrolli ka shkruar që jeta politike në Kosovë nga sot pauzohet tërësisht.

“E prezumimi i pafajësisë është koncepti kryesor i drejtësisë penale”, ka përfunduar Qorrolli.

Sipas njoftimit në faqen zyrtare, më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.

Aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e ZPS-së se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm. Një gjykatës i procedurës paraprake i DHSK-së është duke e shqyrtuar Aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat.

Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së.

“Besohet se z. Thaçi dhe z. Veseli kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë, Nëpërmjet këtyre veprimeve, z. Thaçi dhe z.Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.

Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.