Qorraj: Jemi në përfundim të Strategjisë së re të energjisë dhe Projektligjit për burime të ripërtërishme

Besiana Qorraj, nga Departamenti i energjisë në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë, në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur për Strategjinë e re të energjisë dhe Projektligjin për burime të ripërtërishme.

Qorraj ka thënë se në Strategjinë e re të energjisë rëndësi të veçantë u jepet konsumatorëve që shfrytëzojnë panelet solare për vetëkonsum.

“Ne jemi në fund të draftimit të Strategjisë së re të energjisë për periudhën 2022-2031 e cila ka në fokus dekarbonizimin e sektorit të energjisë. Në këtë kapitull një rëndësi të veçantë u jepet edhe konsumatorëve vetëkonsumues që shfrytëzojnë panelet solare për vetëkonsum”, ka thënë Qorraj.

Ndërsa sa i përket Projektligjit për burime të ripërtërishme ajo ka thënë se kanë mbetur edhe disa çështje administrative para se të jetë gati për diskutim publik.

“Edhe në Projektligjin e ri për burime të ripërtërishme që jemi duke e draftuar është një kapitull i veçantë që i kushtohet konsumatorëve që e përdorin energjinë nga burimet e ripërtërishme. Brenda qershorit do të jetë në diskutim publik, dhe të shkojë në qeveri e në parlament”, ka thënë Qorraj.

Tutje Qorraj ka shtuar se caqet për instalimin e paneleve solare dhe do të shkojnë me përputhje me mundësitë elektoenergjetike që ka Kosova.

“Caqet për instalimin e paneleve solare dhe do të shkojnë me përputhje të mundësive tona të sistemit elektroenergjetik që e kemi në vend por edhe me rajonin. Një cak që është vendosur edhe për panelet solare për projektet e mëdha edhe për ato për vetëkonsum është i vendosur në Strategji dhe do të zhvillohet edhe në të ardhmen”, ka thënë ajo.