Kryetari i Istogut, Ilir Ferati

QMF-të e mbyllura e hapësira sportive të dëmtuara, Ilir Ferati sfidohet me projektet që promovoi në Istog

Në emisionin “Jeta në Komunë” përveç matjes së premtimeve, monitorohen edhe punët e kryera nga kryetarët e komunave të Kosovës.

Në rubrikën “Pas shiritit” projektet e promovuara nga kryetarët e komunave në rrjetet sociale, verifikohen në terren nga hulumtuesit e “Jeta në Komunë”, nëse janë realizuar dhe a e kanë cilësinë ashtu siç edhe janë promovuar.

Kryetari i Istogut, Ilir Feriati u përball në “Jeta në Komunë” me disa prej projekteve që ka promovuar.

Në muajin dhjetor të vitit 2023, Ilir Ferati përdori pamje nga droni për ta promovuar poligonin sportiv në fshatin Dubravë.  Ekipi i “Jeta në Komunë” vizitoi këtë hapësirë sportive gjatë muajit tetor 2024 e gjendja në terren ishte ndryshe prej prezantimit të cilin qytetarët e pëlqyen në Facebook.

Poligoni sportiv në Dubravë dhjetë muaj pas rregullimit shihet në gjendje të keqe, kjo pasi që koshat janë dëmtuar dhe rrethojat gjithashtu.

“Hapësirat që i pamë në videot tuaja është hapësirë që është në shfrytëzim të shkollës në Dubravë dhe në shfrytëzim të komunitetit. Këto gjëra që janë raportu nga ju janë sanuar që të gjitha, një kosh i thyer që janë problem minimal nëse shkoni sot e gjeni me një gjendje tjetër”- tha Ferati pasi pa pamjet.

Drejtori i Arsimit, Naim Behlulaj, arsyetoi prishjet e dëmtimin e koshave dhe rrjetave.

“Ajo qendër sportive shfrytëzohet edhe nga komuniteti, vërehen edhe koshat që janë të dëmtuar kur ne në vitin 2023 i kemi ndërru të gjitha, i kemi ngjitë të reja”- tha drejtori Behlulaj.

Një tjetër projekt i promovuar ishte edhe ai për hapjen e dy ambulantave, të cilat do të ofronin shërbime mjekësore për qytetarët në fshatin Cerkolez.

765 qytetarë e përshëndetën me pëlqime postimin e muajit dhjetor 2022, në të cilin Ilir Ferati njoftoi për hapjen e ambulantës në fshatin Cerkolez. Por dy vjet më vonë, ambulanta mbeti vetëm një storie suksesi në Facebook për shkak se në vitin 2024 qytetarët nuk marrin shërbime në të.

Nga verifikimi në terren, ambulanta në fshatin Cerkolez është e mbyllur, nuk ka pajisje brenda dhe nuk është e pastër.

“Ambulanca në Cerkolez, personi që ka punu aty nuk ka qenë mjek ka qenë motër medicinale dhe i kemi pas diku tri vizita në javë. Ne e kemi pasur një kontratë me Caritasin, nuk kemi mbërri me vazhdu marrëveshjen”- arsyetohet Ferati për këtë çështje.

Mbi 900 qytetarë i pëlqyen fotografitë në Facebook në të cilat Ilir Ferati reklamonte pastërtinë dhe investimet në Parkun e Gurrakocit. Vizitorët e muajit tetor 2024 gjejnë një gjendje tjetër prej asaj që është promovuar në Facebook.

Rreth parkut në Gurrakoc ekipi i “Jeta në Komunë” ka parë se mirëmbajtja nuk është bërë pasi që aty janë parë mbeturina të shumta të cilat nuk janë larguar por vetëm janë grumbulluar.

Projekti tjetër i promovuar ishte edhe ai kur qytetarët panë pamje të mira në postimin e kryetarit të Istogut, në të cilin ai promovonte investimet në rrugën e Cërrcës. Hulumtuesit në terren zbuluan se pusetat në rrugë janë mbi nivelin e rrugës dhe pengojnë qarkullimin.