QKUK, vidhen telefona në Klinikën e Pediatrisë

Disa prej prindërve që janë në kujdesje të fëmijëve të shtrirë në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë qenë viktima të një vjedhje.

Atyre u janë vjedhur telefonat gjatë natës.

KALLXO.com mëson se vjedhja është kryer atëherë kur të gjithë kanë qenë në gjumë, ndërsa Qendra Klinike Universitare e Kosovës thotë se janë lajmëruar organet kompetente.

“Zyra për informim, ju njofton se  kompania e sigurimit fizik dhe klinikat përkatëse kanë njoftuar oganet kompetente, policinë e Kosovës, të cilët po hulumtojnë rastet. Në të njëjten kohë kemi kërkuar nga kompania e sigurimit fizik të rrisë masat e sigurisë në klinika e QKUK-së” thuhet në përgjigjen e QKUK-së.

QKUK thotë se  është në dijeni se kanë filluar hetimet dhe shpreson e inkurajon organet kompetente  të hulumtojnë këto raste që paraqesin shqetësim për Klinikat e QKUK-së, për stafin mjekësor, por edhe pacientët që marrin shërbime mjekësore.

Nga ana tjetër drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë Drita Telaku Qosaj tha për KALLXO.com se kjo ka ndodhur edhe më herët dhe se ky është një shqetësim i madh si për stafin ashtu edhe për pacientët.

“Shpresojmë të zbardhet rasti” tha ajo.