Ilustrim
QKUK s'e zbatoi këshillën e Ministrisë së Brendshme për pezullimin e kardiologëve me aktakuzë
QKUK nuk e ka zbatuar këshillën e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) për pezullimin e dy kardiologëve që po hetohen për vepër penale ndonëse vetë kishte kërkuar interpretim ligjor nga kjo Ministri. Qasjen në përgjigjen e MPB-së, QKUK-ja e ofroi dy muaj pas kërkesës së KALLXO.com, e detyruar nga Agjencia për Informim dhe Privatësi.
Këshilla e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) drejtuar Qendrës Klinike e Universitare të Kosovës (QKUK) që rekomandon pezullimin e zyrtarëve publikë ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë mbeti vetëm e shkruar.
QKUK, e udhëhequr nga ushtruesi i detyrës së drejtorit, Osman Hajdari, nuk e zbatoi atë, edhe pse vetë kishte pyetur Ministrinë se si duhet të veprojë pasi që dy kardiologëve u është ngritur aktakuzë për veprën penale: “Cenim i të drejtave në marrëdhënie të punës”, që dyshohet se e kanë kryer gjatë ushtrimit të detyrave të tyre në Klinikën e Kardiologjisë.
Rrjedhimisht, ish-drejtori i Klinikës së Kardiologjisë, Lulzim Kamberi dhe shefi i shërbimit të Elektrostimulimit dhe Elektrofiziologjisë, Edmond Haliti vazhdojnë të punojnë në këtë klinikë. Aktakuza ndaj tyre u ngrit më 31.05.2024 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Kërkesa e QKUK-së drejtuar MPB-së u bë më 16.08.2024, një muaj pasi që KALLXO.com kishte pyetur institucionin se çfarë hapash kanë ndërmarrë pas ngritjes së aktakuzës.
Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publik në MPB ka këshilluar QKUK-në që nëpunësit e shërbimit civil dhe të shërbimit publik, ndaj të cilëve aktualisht është duke u zhvilluar procedura penale për kryerje të veprës penale gjatë ushtrimit të funksioneve të tij/saj, të pezullohen në pajtim me dispozitat e nenit 69 të Ligjit për Zyrtarët Publikë.
“Neni 69 paragrafi 1.5. i Ligjit për Zyrtarët Publik përcakton se nëpunësi pezullohet sipas detyrës zyrtare, në rastet si në vijim: ndaj nëpunëses/it civil është iniciuar procedurë penale për kryerje të veprës penale gjatë ushtrimit të funksioneve të saj/tij” – thuhet në përgjigjen e MPB-së.
Qendra Klinike Universitare kishte dërguar kërkesën në MPB duke pyetur se si duhet të veprojë në këtë rast, më 16.08.2024.
QKUK-së iu deshën thuajse dy muaj që të ofrojë qasje në përgjigjen e MPB-së, vetëm pasi u detyrua nga Agjencia për Informim dhe Privatësi.
KALLXO.com ka kërkuar nga QKUK-ja qasje në këtë përgjigje të MPB-së dhe ka dërguar pyetje se si kanë vepruar pas pranimit të tij, më 19.09.2024.
Pas mospranimit të një përgjigjeje në kërkesën për qasje në dokumente publike të dërguar më 05.09.2024, KALLXO.com ka parashtruar ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP) më 19.09.2024.
E detyruar nga AIP, QKUK ofroi qasje në përgjigjen e Ministrisë më 31.10.2024.
E pyetur se pse nuk ka zbatuar këshillën e Ministrisë, zyra e drejtorit të QKUK-së tha se ky institucion ka mbi 3 mijë të punësuar dhe do të analizohet secila lëndë që ndërlidhet me interpretimin e DMZP-së dhe do të ndërmarrin veprimet e nevojshme.
“Në Kardiologji siç edhe jeni në dijeni ka ndodhur një ndryshim, ndërkaq së shpejti do të ketë veprime edhe ndaj personave të tjerë që mund të jenë pjesë e trajtimit, përkatësisht interpretimit të DMZP-së” – thuhet më tej në përgjigje, e cila i referohet dorëheqjes së Lulzim Kamberit nga pozita e drejtorit të klinikës.
Dorëheqja e tij u bë e ditur më 22.10.2024. Një ditë më vonë ai doli me një sqarim, duke thënë se u tërhoq në fund të mandatit, tash që “Klinika po lundron në ujëra më të qeta”, për t’u përkushtuar në punë profesionale.
Ndër të tjera, Kamberi ka thënë se mbështetja dhe koordinimi i veprimeve nga strukturat hierarkike nuk ka qenë në nivelin e duhur disa herë. Për këtë, ai nuk ka përmendur emra, por ka shtuar “me përjashtime”.
Për çka akuzohen Kamberi e Haliti?
Lulzim Kamberi dhe kolegu i tij, Edmond Haliti akuzohen nga Prokuroria për cenim të të drejtave në marrëdhënie të punës.
Në aktakuzë thuhet se të dy në bashkëpunim dhe me vetëdije bënë veprime diskriminuese ndaj kardiologut Imri Jashari.
Sipas aktakuzës, pasi që Jashari ngriti një çështje në lidhje me një situatë eventuale të konfliktit të interesit, të pandehurit ia kufizuan të dëmtuarit të drejtën që të ushtrojë detyrën zyrtare.
Tutje në aktakuzë thuhet se Jashari kishte kontratë pune me përshkrim të detyrave, që të hyjë në sallë për implementimin e devicave.
Protesta për shkarkim të drejtorit
Ish-Drejtori i Kardiologjisë, Kamberi ishte i padëshiruar nga disa kolegë të tij në këtë Klinikë, të cilët e shihnin atë si të padenjë për të udhëhequr Klinikën.
Këtë pakënaqësi, disa prej tyre e patën shprehur përmes një proteste më 29.09.2023 duke kërkuar shkarkimin e tij. Protesta erdhi pasi që 18 kardiologë kishin nënshkruar një kërkesë për shkarkimin e Kamberit më 11.07.2023, të cilën e kishin dërguar në adresë të drejtorit të SHSKUK-së, Elvir Azizi.
Ata kanë drejtuar gishtin kah Kamberi për “paaftësi menaxheriale, diskriminim në baza gjinore, ikje nga përgjegjësia profesionale, përkrahje të shkaktarit të dhunës në Klinikë e rol përçarës”.
Kamberi ka mohuar akuzat në vazhdimësi duke thënë se kërkesa për shkarkim është nga disa mjekë nga reparti i Kardiologjisë Invazive, “të cilët duan t’i ruajnë privilegjet e tyre”.
Ata po ashtu kanë kërkuar shkarkimin e shefit të Njësisë Koronare, Artan Ahmeti, pasi sipas tyre i njëjti para se të përzgjidhej në këtë pozitë ka ushtruar dhunë fizike ndaj kolegut.
Ahmeti akuzohet nga Prokuroria e Prishtinës se i ka shkaktuar lëndim të lehtë trupor kolegut të tij, kardiologut Fisnik Veliu.
Lulzim Kamberi në një reagim kishte thënë se kërkesa e këtij grupi kardiologësh për ta “suspenduar dhunuesin dhe menaxhmentin që mbron dhunuesin”, është kërkesë mbi ligjin sepse, sipas tij, organet ligjore kanë thënë fjalën e tyre.
Bordi i SHSKUK-së pati diskutuar kërkesën për shkarkimin e Kamberit në mbledhjen e mbajtur më 12.07.2023 bashkë me drejtorin Azizi. Ata patën vendosur që të formohej një grup vlerësues për të vërtetuar nëse pretendimet qëndrojnë, sepse peticioni nuk mund të merret si bazë për të ndërmarrë veprime kundër një menaxhmenti të një klinike.