Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

QKUK: Polici që u sulmua mbrëmë në veri është jashtë rrezikut për jetë

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka njoftuar se pjesëtari i Policisë së Kosovës që është sulmuar mbrëmë në Zveçan është jashtë rrezikut për jetë.

“Qendra Klinike Universitare e Kosovës njofton se sot rreth orës 8:30, një pjesëtar i Policisë së Kosovës i lënduar mbrëmë është pranuar në Qendrën Emergjente, pasi kishte marr trajtimin e nevojshëm në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës”- thuhet në njoftimin e QKUK-së.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës është lënduar mbrëmë rreth orës 23 :00 në fshatin Serbovc, Komuna e Zveçanit.

Një patrullë e Policisë së Kosovës është sulmuar mbrëmë në Zveçan me armë zjarri.

Policia e Kosovës e ka konfirmuar rastin.

“Njësitet policore deri sa kanë qenë në detyra të rregullta, në patrullim, janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit  Audi, ngjyrë hiri, me targa KM. Si pasojë e incidentit, një pjesëtar i Policisë së Kosovës është lënduar lehtë dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në veturën e policisë” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Dhjetëra policë të rendit janë vendosur në veri të vendit pas vendimit të institucioneve për të rritur praninë policore në këtë pjesë të Kosovës.

Rritja e pranisë policore vjen pas incidenteve të ditëve të fundit, gjatë të cilave u përdorën granata dore e u shkrepën edhe armë zjarri.

Makina me të cilën po udhëtonin ekipi i KALLXO.com, producenti Valdet Salihu dhe gazetarja Shkodrane Dakaj janë sulmuar mëngjesin e sotëm nga persona të maskuar në afërsi të Shkollës teknike në Mitrovicën e Veriut.

Ekipi i cili po udhëtonte me makinën e zyrës në drejtim të Mitrovicës së Veriut është sulmuar nga grupi i personave të maskuar të cilët po qëndrojnë në udhëkryqin e kësaj lagjeje.

Sulmuesi ka goditur me grushte makinën ndërsa mjete të forta janë hedhur edhe nga pjesëtarët e grupit

Sulmohet me armë zjarri Policia në Zveçan