QKUK: Për herë të parë realizohet heqja e gjakut të ngjizur në arterien e trurit në mënyrë mekanike

Në Klinikën e Radiologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës për herë të parë është bërë heqja e gjakut të ngjizur në arterien e trurit në mënyrë mekanike (trombektomia mekanike e M2 segmentit të arteries cerebri media majtas) me metodë radiologjike neurointervente minimale invazive, njofton QKUK.

Sipas njoftimit, bëhet fjalë për një 62 vjeçar, i cili e kishte dorën e palëvizshme dhe këmbën e djathtë të dobësuar, por pas procesit gjendja e tij ka filluar të përmirësohet dhe i është kthyer menjëherë lëvizshmëria e dorës së djathtë. E gjithë procedura është kryer pa komplikime, thuhet tutje.

Gjithashtu, 12 orë pas kryerjes së procedurave pacienti ka filluar të lëshojë zë pasi që para proceduarve nuk kishte mundur të flasë.

Brenda 3 apo 4 orëve pas sulmit në tru, procedurën e kanë realizuar ekipi i radiologëve, Dr. Bujar Gjikolli, Dr. Arben Kutllovci, përkrahur nga radiologët kujdestarë Dr. Agron Arifi, Dr. Ilir Bejta, me referimin e neurologëve kujdestar Dr. Rushit Jashari, Dr. Valbona Spanca e Dr. Milaim Krasniqi, me asistimin e teknikëve të radiologjisë Shekfi Bytyqi, Ariana Neziri.

Klinika e Radiologjisë është e pajisur me materiale për të plotësuar nevojat e pacientëve me infarkte në tru.

QKUK thotë se kjo klinikë po punon në ngritjen e kapaciteteve për realizimin e tyre, kurse në proces është edhe blerja e një angiografi të avancuar për të përkrahur këto procedura në nivel bashkëkohor.