Foto: ShSKUK

QKUK, mjekët ia shpëtojnë dorën një pacienti pas aksidentit që pësoi

Mjekët dhe infermierët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë shpëtuar dorën e një pacienti nga Suhareka, i cili kishte pësuar lëndim të rëndë të krahut (gjymtyrës) së sipërme të majtë.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, thuhet se pacienti fillimisht ishte sjellë nga Suhareka në Klinikën Emergjente ku kishte marrë ndihmën emergjente mjekësore nga mjekët dhe stafi infermieror i Klinikës Emergjente.

Sipas ShSKUK-së, ekipi kujdestar i mjekëve në përbërje të kirurgut vaskular, anesteziologut, kirurgëve plastik dhe stafit infermieror hynë në operacion delikat që kishte zgjatur me orë të tëra.

“Ekipi mjekësor arrit ta riaftësoi gjymtyrën – krahun e pacientit, i cili tani ka dorën e gjallë, me vaskularizim, të inervuar dhe të lëvizshme. Pacienti kishte ardhur me të gjitha sistemet (sistemi neurovaskular, i muskulor dhe ai i tetivave) të shkëputura nga vazhdimësia, me një defekt të madh të lëkurës”, thuhet në njoftim.

Sipas SHSKUK-së lëndimi i strukturave ishte në nyjen radiokarpale (kyçi i dorës) aty ku edhe kalibri i enëve të gjakut është milimetrik e të cilat fillojnë të futen në shuplakë. Kjo sipas ShSKUK-së e vështirësoi në masë të madhe shpëtimin e ekstremitetit tek pacienti, por rrezikoi dhe jetën e tij.

“Lëndimet e tilla – amputimet traumatike, në literaturë janë​ të shoqëruara me shkallë të vdekshmërisë prej 72%, ndërsa humbjet e ekstremiteteve janë me përqindje të lartë, mbi 90%”, përfundon njoftimi.