Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

QKUK jep detaje për vdekjen e gruas në Mjekimin Intensiv Qendror

Mëngjesin e sotëm është raportuar një vdekje e dyshimtë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Në raportin 24 orësh të policisë thuhet se ky rast është raportuar nga familjarët dhe se janë ngritur dyshime për vdekje si pasojë e mostrajtimit të duhur mjekësor në QKUK.

Rasti është duke u hetuar nga policia e Kosovës si vdekje e dyshimtë ndërsa trupi i pajetë i të vdekurës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Në anën tjetër nga QKUK e kanë mohuar se gruaja ka vdekur për shkak të pakujdesisë së stafit mjekësor.

Sipas QKUK, viktima ka rezultuar pozitive për COVID-19 dy herë ndërsa ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore, duke u trajtuar në Mjekimin Intensiv Qendror Covid.

Sipas QKUK, në këtë repart po trajtohen rastet më të rënda me COVID-19, ndërsa viktima ka vdekur përkundër angazhimeve dhe përpjekjeve nga stafi mjekësor për të parandaluar në gjë të tillë.

“E njëjta ishte konfirmuar dy herë si Covid pozitivë. Nuk bëhet fjalë për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, por për insistim të familjarëve për të kryer obduksionin. Me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së për KALLXO.com.

Dyshime se një grua vdiq në QKUK si pasojë e trajtimit të pandërgjegjshëm mjekësor