Grafika: KALLXO.com
QKUK-ja që 7 muaj me ushtrues detyre të drejtorit, ShSKUK nuk e ka hapur ende konkursin e rregullt
Edhe pse ka më shumë se gjysmë viti prej kur u krijua pozita e drejtorit të Qendrës Klinike e Universitare të Kosovës (QKUK), konkursi për këtë pozitë nuk është hapur ende.
Timoni i QKUK-së është në duart e ushtruesit të detyrës së drejtorit, Osman Hajdari, prej emërimit të tij më 21.01.2024 nga drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (ShSKUK), Elvir Azizi. KALLXO.com pati raportuar se Hajdari më parë ka qenë asamblist i Vetëvendosjes në Prizren.
Para krijimit të kësaj pozite, që u bë i mundur përmes Statutit të ri të ShSKUK-së, të miratuar më 27.12.2023, drejtori i ShSKUK-së ishte edhe drejtor i QKUK-së. Kjo e bënte që ai të kishte më shumë se 50 vartës që i raportonin direkt.
Prandaj, kjo pozitë ishte vlerësuar si shumë e rëndësishme që menaxhimi i institucionit të jetë më i mirë.
“Janë vërejtur mangësi dhe paqartësi në role dhe përgjegjësitë brenda vetë strukturës, si dhe koncentrim të të gjitha njësive në kuadër të një mekanizmi të vetëm të mbikqyrjes, siç është pozita e drejtorit të përgjithshëm, që shpesh ka ngulfatur punën menaxheriale dhe mbikqyrëse të vetë institucionit” – pati thënë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia kur kishte propozuar miratimin e Stautit të ri para Qeverisë.
Zyra e drejtorit të ShSKUK-së nuk dha një arsye konkrete se pse nuk ka hapur konkursin, mirëpo tha se janë brenda afatit ligjor.
ShSKUK tha se janë të fokusuar në rikonstruktimin dhe riorganizimin e brendshëm, megjithatë duket se nuk e ka pasur prioritet përzgjedhjen e një drejtori të rregullt të QKUK-së, i cili është i vetmi institucion i nivelit tretësor të shëndetësisë.
Gjatë kësaj periudhe, ShSKUK ka hapur disa konkurse për drejtorë të spitaleve e klinikave që janë udhëhequr nga ushtrues detyre.
“SHSKUK, në muajt paraprak ka qenë e fokusuar dhe e orientuar në një proces të brendshëm ristrukturimi dhe riorganizimi, proces i cili ka bërë qe të trajtohen çështjet me përparësi sa i përket afateve me të përafruar ligjore” – thuhet në përgjigjen e ShSKUK-së për KALLXO.com, më 08.08.2024.
Ky institucion përmend nenin 35 të Ligjit për Zyrtarët Publikë i cili thotë se “Zyrtarja/i publik nuk mund të caktohet si ushtruese/i detyre më gjatë se gjashtë (6) muaj. Kur pozita nuk mund të plotësohet brenda afatit gjashtë (6) mujor, ky afat mund të zgjas më së shumti edhe për gjashtë (6) muaj të tjerë”.
Në bazë të kësaj, ShSKUK konsideron se është brenda afateve ligjore.
“Drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së, ka të drejtë të caktojë ushtrues detyre/ zëvendësues të drejtorëve sipas legjislacionit në fuqi, atëherë konsiderojmë se jemi brenda afatit kohor ligjor për përgatitjen e rekrutimit për pozitën e drejtorit të QKUK-së me të cilën përgatitje jemi duke u marrë si institucion” – thuhet po ashtu në përgjigje.
Besim Kodra nga Shoqata e Pacientëve të Kosovës thotë se afatet e tilla ligjore janë paraparë vetëm që dikush të ushtrojë detyrën deri në zgjedhjen e një udhëheqësi legjitim dhe dështimeve të mundshme të konkurseve. Kjo, sipas tij nuk nënkupton edhe mos hapjen e asnjë konkursi brenda 6 apo 12 muajsh.
“Përgjegjshmëria dhe llogaridhënia e institucioneve shkon përtej obligimeve ligjore. Jo pse ua garanton ligji që ata të kenë 6+6 muaj një ushtrues detyre, ta mbajnë të tillë” – thotë Kodra, që me profesion është jurist.
Në pikëpamjen e tij, ushtruesit e detyrës janë keqkuptuar, sepse në parim ata janë vetëm për të shmangur situatat e jashtëzakonshme, që pozita të mos mbetet e zbrazët. Por, në realitet, ai thotë se është bërë traditë që institucionet shtetërore, me theks të veçantë në pozita të larta në shëndetësi të jenë me ushtrues detyre.
Si të tillë, Kodra thotë se ushtruesit e detyrës do të jenë gjithmonë të kufizuar për të ushtruar kompetencat e tyre apo për të menduar në mënyrë strategjike, pasi që në çdo çast mund të shkarkohen.
“Ushtruesit e detyrës janë gjithmonë të ndikueshëm nga menaxherët e tyre, për shkak të pozicionit që kanë dhe fuqisë ligjore që ua jep ligji menaxherëve të tyre për t’i shkarkuar” – shton ai.
Një qëndrim për këtë temë, nuk u dha prej Dren Boshnjakut, kryesues i Bordit të ShSKUK-së, i cili është organi më i lartë i institucionit që mbikëqyr punën e menaxhmentit e as prej ish-kryesuesit njëherësh Sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi.
KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresë të tyre më 06.08.2024, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, asnjëri nuk ka ofruar përgjigje.
Shëndetësia ‘në duar’ të ushtruesve të detyrës
Lënia e institucioneve të shëndetësisë “në duar” të ushtruesve të detyrës është praktikë e parë shpesh, pavarësisht debateve rreth efektivitetit të punës së tyre.
Për gati një vjet, nga gushti 2022 deri në korrik 2023, institucioni më i madh shëndetësor, ShSKUK-ja ka pasur në krye dy ushtruese të detyrës, deri në përzgjdhejn e Elvir Azizit përmes konkursit më 05.07.2023.
Spitali i Ferizajt që tri vjet ka ndërruar katër ushtrues detyre dhe vazhdon të drejtohet nga një i tillë, pasi që në konkursin që u hap në shkurt të këtij viti, asnjë prej kandidatëve nuk e kaloi testin.
As Spitali i Mitrovicës nuk ka drejtor të rregullt prej nëntorit 2023. Në konkursin për drejtor të këtij spitali, nuk pati asnjë të interesuar.
Ndonëse në kundërshtim me ligjin, ushtrues të detyrës kanë mbajtur pozitat e tyre për vite të tëra edhe në klinika e institucione të tjera shëndetësore.