Mjek - Foto: REL/Wikipedia Commons

QKUK-ja pezullon nga detyra e shefit kardiologun me aktakuzë por jo edhe nga pozita e mjekut

Rreth 6 muaj pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij është pezulluar nga detyra shefi i Shërbimit të Elektrofiziologjisë në Klinikën e Kardiologjisë, Edmond Haliti.

Megjithatë, Haliti dhe kolegu i tij Lulzim Kamberi, ndaj të cilit po ashtu është ngritur aktakuza për cenim të të drejtave në marrëdhënie të punës, vazhdojnë të punojnë si mjekë specialistë.

KALLXO.com ka raportuar disa herë për mosveprim të QKUK-së ndaj këtyre dy kardiologëve.

Edhe pse QKUK-ja kishte marrë një interpretim ligjor nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku thuhet se ata duhet të pezullohen nga puna, drejtori i QKUK-së, Osman Hajdari, ka zgjedhur që Halitin ta pezullojë vetëm nga detyra e shefit. Ndërkaq, Kamberi, i cili ishte drejtor i Klinikës, ishte dorëhequr vetë nga kjo pozitë rreth një muaj më parë.

Dorëheqja e tij kishe ardhur pasi që QKUK -ja kishte pranuar interpretimin e MPB-së, të cilën e kishte kërkuar vetë.

Përgjigjja e Ministrisë nuk ka qenë mjaftueshëm e qartë për QKUK-në, e cila thotë se do të kërkojë sërish interpretim se a kanë të drejtë që këta zyrtarë të punojnë si mjekë specialistë.

“Ndërkohë QKUK, do të kërkojë interpretim nga Departamenti për Menaxhim të Zyrtarëve Publikë (DMZP), në raste të tilla, a kanë të drejtë të punojnë si mjek specialist në klinikë!” – tha QKUK për KALLXO.com më 22.11.2024.

Sipas nenit 69 të paragrafit 1.5 të Ligjit për Zyrtarët Publikë, nëpunësi civil pezullohet sipas detyrës zyrtare, ndër të tjera edhe kur ndaj tij është iniciuar procedurë penale për kryerje të veprës penale gjatë ushtrimit të funksioneve të saj/tij.

“Prandaj, DMZP këshillon që në nëpunësit e shërbimit civil dhe nëpunësit e shërbimit publikë, ndaj të cilëve aktualisht është duke u zhvilluar procedura penale për kryerje të veprës penale gjatë ushtrimit të funksionit të tij/saj, të pezullohen nga puna në pajtim me dispozitat e nenit 69” – thuhej në përgjigjen e Ministrisë drejtuar QKUK-së, të cilën QKUK e ka pranuar më shumë se dy muaj më parë.

E për të pasur qasje në këtë përgjigje, KALLXO.com ka pritur dy muaj, pasi që QKUK-ja e ofroi atë vetëm pasi që u detyrua nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, ku KALLXO.com kishte parashtruar ankesë për mosofrim të qasjes në dokumente publike.

Për çka akuzohen Kamberi e Haliti?

Lulzim Kamberi dhe kolegu i tij Edmond Haliti akuzohen nga Prokuroria për cenim të të drejtave në marrëdhënie të punës.

Në aktakuzë thuhet se të dy në bashkëpunim dhe me vetëdije bënë veprime diskriminuese ndaj kardiologut Imri Jashari.

Sipas aktakuzës, pasi që Jashari ngriti një çështje në lidhje me një situatë eventuale të konfliktit të interesit, të pandehurit ia kufizuan të dëmtuarit të drejtën që të ushtrojë detyrën zyrtare.

Tutje në aktakuzë thuhet se Jashari kishte kontratë pune me përshkrim të detyrave, që të hyjë në sallë për implementimin e devicave (pajisjeve).

QKUK s’e zbatoi këshillën e Ministrisë së Brendshme për pezullimin e kardiologëve me aktakuzë

 

Shënim: Artikulli është përditësuar më 17.12.2024 në ora 14:33 në fjalinë e parë, duke hequr pjesën për ushtrues detyre i shefit e duke lënë vetëm shef.