Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sqarimi i QKUK-së për vdekjen e 23-vjeçares nga Drenasi

Klinika Emergjente e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka reaguar në lidhje me lajmet e publikuara së fundmi se një vajzë 23-vjecare nga Drenasi, ka vdekur pas vaksinimit me vaksinën Anti-COVID.

Në reagim është theksuar se diagnoza përfundimtare e vdekjes ishte hemoragjia intraabdominale (gjakderdhje në bark), shok hemoragjik dhe sipas Klinikës, familjarët kanë refuzuar abduksionin.

“Në lidhje me lajmet e publikuara për vdekjen e Z. I ( 1998), nga fshati Zabel i Drenasit, sqaron se, pacientja vjen në Klinikën Emergjente në QKUK në ora 16:30, të datës 15 shtator 2021, me autoambulancë nga Qendra e Mjekësisë Urgjente në Prishtinë, për shkak të humbjes së vetëdijes, me bebëza të zgjeruara, pa tension arterial, pa puls periferik, me frymëmarrje të vështirësuar”, është thënë në reagim.

Sipas njoftimit, menjëherë mjekët dhe stafi shëndetësorë ka ndërmarrë masat reanimatore, pacientes i bëhen analizat laboratorike, radiologjike dhe konsulencat tjera mjekësore.

“Përkundër përpjekjeve maksimale nga stafi i Klinikën Emergjente,  pacientja nuk arriti të mbijetonte, vdekja konstatohet në ora 17:45”, thuhet më tej.