QKSS kërkon anulimin e vendimit për emërimet në AKI     

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka reaguar pas vendimit te kryeministrit  në largim  Ramush Haradinaj për emërimin e Kreshnik Gashit në krye të AKI-së si dhe emërimin e Burim Ramadanit në postin e Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së.

QKSS e konsideron ‘kontrovers’ dhe politik emërimin e e Drejtorit dhe Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së.

Sipas tyre ky vendim e dëmton edhe më shumë reputacionin e AKI-së, dhe si i tillë nuk është dashur të merret nga kryeministri në largim.

“Vendimet e tilla të rëndësishme në asnjë mënyrë nuk mund të merren nga Kryeministrat në dorëheqje të cilët kanë një rol kujdestar. Ky vendim e dëmton edhe më shumë reputacionin edhe ashtu të brishtë të AKI-së duke shfrytëzuar kështu bazën ligjore e cila bazohet nominalisht në një sistem të mirë të bilancit dhe kontrollit, në këtë rast në mes të Presidentit dhe Kryeministrit”, thuhet në komunikatë.

Sipas QKSS-së, ky vendim mund të çojë në ngërç institucional dhe mund t’i dëmtojë institucionet e Kosovës.

“Veprimi qartazi synon të sfidojë sistemin qeverisës në ardhje duke planifikuar kësisoj ngërç institucional me dashje në dëm të interesave nacionale të Kosovës. Kur këtij veprimi i shtohet profili i të emëruarve me pjesëmarrje aktive në politikë kohëve të fundit (sidomos pozicioni i Inspektorit të Përgjithshëm) lehtësisht mund të konkludohet se vendimi ka implikime afatgjate në sektorin e sigurisë”, thuhet në reagim.

Sipas tyre me këtë vendim partnerët e Kosovës nuk mund të llogarisin në bashkëpunim me një institucion aq të diskredituar.

Tutje QKSS ka kërkuar që vendimi i marrë sot të anulohet në mënyrë që të shmanget degradimi i AKI-së.

“Kërkojmë nga institucionet relevante që të anulojnë këtë vendim dhe në këtë formë të shmangin nivelin aq të lartë të degradimit të institucioneve vitale të shtetit”, theksohet në reagim.

Sot kryeministri në largim ka bërë të ditur që ka emëruar Kreshnik Gashin në postin e drejtorit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), ndërsa Burim Ramadanin në postin e Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së.

Ky vendim i Haradinajt vjen 20 ditë që nga dorëheqja e Shpend Maxhunit nga posti i drejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

Drejtori i sapoemëruar, Kreshnik Gashi ka qenë Sekretar Permanent në Ministrinë e Punëve të Jashtme në kohën kur kjo ministri drejtohej nga Hashim Thaçi. Së fundi, ai ka qenë kryetar i Bordit të ARKEP-it. Ndërsa Burim Ramadani është drejtues i lartë në AAK. Së fundi ka qenë zëvendësministër i Mbrojtjes dhe kandidat i AAK-së për deputet në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.

Shpend Maxhuni, Drejtor i ri i AKI-së

 

Vetëvendosje i konsideron antikushtetuese emërimet në AKI