Insulina - Ilustrim RTK

QKMF-të në Viti e Obiliq nesër nisin shpërndarjen e insulinës

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Viti dhe ajo në Obiliq, nga nesër fillojnë shpërndarjen e insulinës.

Në njoftimin e QKMF-së në Viti thuhet se në dispozicion janë tri lloje të insulinës, ndërsa të drejtë furnizimi kanë edhe qytetarët e komunës së Kllokotit.

“Njoftohen pacientët e komunës së Vitisë dhe të komunës së Kllokotit se sot jemi furnizuar me insulinë nga  Ministria e Shëndetësisë. Llojet e insulinave me të cilat jemi furnizuar janë Novorapid, Novomix dhe Levemir”, thuhet në njoftim.

Nesër, të gjithë ata që kanë nevojë për insulinë mund të drejtohen në QKMF-në në Viti nga ora 08:30 deri në ora 14:30. Ndërsa, është njoftuar se nga e hëna do të bëhet shpërndarja me orar të rregullt.

Shpërndarjen e insulinës ka njoftuar se e ka filluar edhe QKMF-ja në komunën e Obiliqit.

“Njoftohen shfrytëzuesit e Insulinës Novomix dhe Novorapid se mund të i marrin nga data 18.07.2021(e diel) në Barnatoren e QKMF-së Obiliq nga ora 8:00-16:00”, thuhet në njoftim.

Nga dita e djeshme, Ministria e Shëndetësisë ka nisur shpërndarjen e insulinës nëpër QKMF-të në tërë vendin.

Për disa muaj, Ministria e Shëndetësisë u përball me mungesë të këtij ilaçi.