Ilustrim

QKMF në Prishtinë, gati 3 muaj pa insulinën ‘Levemir’

Për më shumë se dy muaj e gjysmë, pacientët në Qendra Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë po përballen me mungesë të insulinës “Levemir”.

Mungesa e insulinës në organizmin e njeriut shkakton sëmundjen e diabetit.

Kjo lloj insuline është shumë e kërkuar nga pacientet që janë në trajtimin e sëmundjes me diabet, mirëpo këtë insulinë pacientët po e kanë të vështirë të  gjejnë, pasi që ministria është në procedura të tenderimit për këtë ilaç me që sasitë nga kontrata e mëparshme janë në përfundim e sipër.

Albatrit Matoshi, Këshilltar i Ministrit në largim të Shëndetësisë, tha për KALLXO.com se këto mungesa janë shkaktuar meqë kontrata me furnizuesin është afër përfundimit.

“Sa i përket produktit Insulinë Levemir, Ministria është në procedura të tenderimit për këtë ilaç meqë sasitë nga kontrata e mëparshme janë në përfundim e sipër”, tha Matoshi.

“Pritet që produkti në fjalë të kontraktohet shumë shpejt dhe t’u vihet në dispozicion pacientëve insulinëvartës. Sa u përket produkteve tjera, Ministria është duke i furnizuar të gjitha QKMF-të sipas planifikimeve dhe furnizimeve të rregullta mujore”, shtoi ai.

Fatos Aliu, farmacist në QKMF të Prishtinës, tregon se janë në mungesë të kësaj insuline për më shumë se dy muaj.

“Sa i përket çështjes së kërkesës është bërë çdo fund të muajit për furnizim me insulinë apo të gjitha llojet e materialet medicinale i bëjnë në fund të muajiit për furnizim në çdo fillim të muajit të ardhshëm. Ne kërkesën e kemi bërë, dhe aprovimi i kërkesës vjen në sistem”, tha Aliu.

“Në çdo fundmuaj i dërgoj raportet në ministri, e dinë sa pacientë e përdorin këtë lloj të insulinës”, tha Aliu.

I kontaktuar nga KALLXO.com, drejtori i Shëndetësisë në komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, tha se komuna nuk ka kompetenca për furnizim me këtë lloj të insulinës.

“Insulina Levemir vie nga Ministria e Shëndetësisë, jemi furnizuar nga Ministria e Shëndetësisë deri para 3 muaj, tani më jo, kostoja e furnizimit me këtë lloj insuline është e lartë dhe e papërballueshme për buxhetin e shëndetësisë në Komunën e Prishtinës. Në bazë të informatave që kemi, pas pyetjeve tona në Ministri, pritet që do të kemi furnizim në të ardhmen, gjithnjë sipas Ministrisë se Shëndetësisë”, tha Bujar Gashi.