QKMF në Pejë pa insulinë tash e tre muaj

Të sëmurët me diabet në Komunën e Pejës tash e disa muaj kanë probleme me furnizim të insulinës.

Ndonëse atyre u takojnë që të furnizohen me barna dhe insulina nga Qendra Kryesore Mjekësore Familjare ata po detyrohen që të njëjtat t’i sigurojnë vetë.

Një qytetar i Komunës së Pejës, nëna e të cili mjekohet në këtë qendër mjekësore, ka raportuar në KALLXO.com se në vazhdimësi është i obliguar të blejë barna, në mungese të tyre në këtë qendër.

Mungesën e barnave e ka konfirmuar edhe Qendra e Mjekësisë Familjare në Pejë.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Lirika Kondirolli farmaciste në këtë qendër, tha se tash e 3 muaj janë në mungesë të barnave dhe të insulinës së llojit “Levemir”.

“Në çdo muaj kemi bërë kërkese drejtuar Ministrisë se Shëndetësisë, por ende nuk jemi furnizuar me të njëjtat. Sa jemi në njohuri kjo Ministri e ka fituar tenderin muajin e kaluar, por ende nuk është furnizuar me barna”, tha Kondirolli.

KALLXO.com ka kërkuar përgjigje lidhur me këtë çështje edhe nga Ministria e Shëndetësisë por të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.