QKMF në Klinë përballet me mungesë të specialistëve të mjekësisë familjare
Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Klinë ka mungesë të specialistëve të mjekësisë familjare tash e 3 vjet.
Kështu thotë për KALLXO.com drejtori i QKMF-së në Klinë, Gazmend Bojaj.
“Mjek Familjar është term i specialistëve të Mjekësisë Familjare. Pa këta nuk mundet me funksionu një QKMF në Kosovë. Ne e kemi vetëm një [mjek familjar] që del në pension vitin tjetër dhe unë që jam drejtor në QKMF në Klinë. Mungesën e mjekëve familjarë e kemi shumë evidente tash e 3 vjet” – thotë Bojaj.
Ai tregon se gjatë takimeve të ndryshme në Ministrinë e Shëndetësisë, kanë kërkuar që të hapen vende të lira për mjek familjar.
“Për mungesën e specialistëve është e njoftuar Ministria e Shëndetësisë. E kemi diskutuar në shumë debate, ku kam shkuar unë si drejtor dhe kemi kërkuar prej tyre 6 vende, deri eventualisht 8 vende të specialistëve të Mjekësisë Familjare” – shprehet Bojaj.
Në QKMF në Klinë, sipas tij, ka specialist të lëmive të tjera por pas 4 vjetësh ata shkojnë në pension dhe duhet të zëvendësohen me specialist- mjek familjar.
“Përndryshe kemi me pasë jashtëzakonisht shumë keq [punën]”- paralajmëron drejtori i QKMF-së në Klinë.
Lidhur me këtë problem, ai thotë se aktualisht pozitat e specialistëve po i zëvendësojnë mjekët e përgjithshëm.
“Për momentin krejt pozitat po i zëvendësojnë mjekët e përgjithshëm, por koncepti i Mjekësisë Familjare është që të jenë specialist të Mjekësisë Familjare jo mjekë të përgjithshëm, sepse është e programuar kështu në gjithë Kosovën- që pacientin me kontrollu specialisti jo mjeku i përgjithshëm. Mjeku i përgjithshëm mundet me punu në terren në ndonjë nga QMF-të në terren e jo me u marrë me pacientë që vijnë herët në mëngjes që kanë nevojë për kujdes të specialistit.” – shpjegon Bojaj.
Për mungesën e specialistëve- mjekë familjarë në QKMF në Klinë, KALLXO.com ka kontaktuar me Ministrinë e Shëndetësisë.
Sipas kësaj ministrie, 6 mjekët e angazhuar në QKMF – Klinë janë duke e vazhduar edhe specializimin në fushën e Mjekësisë Familjare, në mënyrë që të njëjtit të jenë në pozitat e specialistëve të mjekësisë familjare.
Në mars të vitit 2024, MSH thotë se është hapur konkurs për specializime duke përfshirë edhe specializimin për Mjekësinë Familjare dhe përmes Kujdesit Parësor Shëndetësor iu është përcjell kërkesa për të aplikuar në këtë fushë.
“Nga konkursi kanë rezultuar të suksesshëm 8 specializantë në mjekësi familjare dhe së shpejti priten të fillojnë specializimin” – bën të ditur Ministria e Shëndetësisë, përmes një përgjigjeje me shkrim.
Ministria e Shëndetësisë thotë se mbetet e përkushtuar që të shikoj mundësinë e hapjes se konkursit për specializantë, me theks të veçantë në fushën e mjekësisë familjare dhe varësisht nevojave të komunave, këto kërkesa do të paraqiten edhe në Grantin Specifik për Shëndetësi.
Në krahasim me vitet e kaluara, Ministria e Shëndetësisë thekson se në vitet e fundit ka një rënie të interesimit për specializim në fushën e mjekësisë familjare.
Në bazë të të dhënave të pranuara nga Oda e Mjekëve të Kosovës, deri me datë 27.04.2024 janë të licencuar gjithsej 649 mjekë (specialist të mjekësisë familjare), duke mos përfshirë numrin e specialistëve të mjekësisë familjare të cilët kanë kaluar me sukses provimin specialistik në muajin maj të këtij viti (57 specialist të MF).
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në bazë të censuesit të ri (regjistrimit të popullsisë), Kosova ka gjithsej 1,586,659 banorë dhe bazuar në të dhënat se në Kosovë janë 706 specialistë të Mjekësisë Familjare, i bie që 1 mjek të kujdeset për 2247 qytetarë.