Foto: QKMF "Dëshmorët e Lirisë'' Kaçanik

QKMF në Kaçanik pranoi vetëm 70 vaksina anti-COVID-19, s’i mjaftojnë as për punëtorët shëndetësorë

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Dëshmorët e Lirisë” në Kaçanik është furnizuar vetëm me 70 vaksina anti-COVID-19.

Këto vaksina kësaj qendre mjekësore nuk i dalin as për punëtorët shëndetësorë.

Kështu ka njoftuar drejtori i QKMF-së, Sinan Zeneli.

“QKMF-ja sot është furnizuar me vaksina anticovid nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës. Numri i vaksinave të pranuara është 70 dhe  ky numër nuk i plotëson as nevojat e punëtorëve shëndetësor”, thuhet në një njoftim në Facebook.

Sipas drejtorit, në këtë periudhë do të vaksinohen vetëm punëtorët shëndetësorë të QKMF-së, kurse me ardhjen e kontingjentit tjetër të vaksinave do të procedohet me kategoritë e tjera sipas programit kombëtar të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

“Vaksinimi për punëtorët shëndetësor do të realizohet nesër me datën 07.04.2021 në QKMF duke filluar nga ora 09:00”, ka bërë të ditur ai.

Kosova është vendi i fundit në rajon që ka nisur vaksinimin kundër COVID-19, pasi në fund të marsit pranoi vetëm 24 mijë doza të vaksinave.

Ende nuk dihet se kur mund të vijnë vaksina të tjera në Kosovë.