QKMF në Ferizaj nga sot fillon regjistrimin e personave mbi 65 vjeç për vaksinën anti-COVID
Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Ferizaj në kuadër të përgatitjeve për vaksinimin e popullatës me vaksinën kundër COVID-19 nga sot do të fillojë regjistrimin për personat mbi 65 vjeç.
Personat mbi 65 vjeç janë ndër të parët të cilët do të marrin vaksinën COVID-19.
“Në qendrat në qytet regjistrimi bëhet çdo ditë pune nga ora 8:00 deri 20:00, ndërsa në qendrat nëpër fshatra nga ora 8:00 deri 14:00”, thuhet në njoftimin e QKMF-së.
Përveç regjistrimin në mënyrë fizike qytetarët do të mund të regjistrohen edhe përmes dy numrave të telefonit, të cilët QKMF i ka bërë publike.
“048 555 992 ose 048 555 993, për cilëndo mënyrë të regjistrimit qytetaret duhet të kenë nje dokuemnt të identifikimit”, thuhet tutje në njoftim.
Sipas deklaratave të ministrit në detyrë të Shëndetesisë, Armend Zemaj, vaksinat kundër coronavirusit do të vijnë këtë muaj.
SARS-CoV-2 deri më tani ka prekur mbi 65 mijë qytetarë, përderisa mbi 1,500 të tjerë kanë vdekur si si pasojë e infeksionit.
Mbi 6 mije raste janë aktiv me coronavirus në nivel vendi.
Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.
Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19