QKMF në Ferizaj - Foto: Facebook/KomunaeFerizajt

QKMF në Ferizaj funksionon vetëm me një rëntgen, i dështon tenderi për mirëmbajtjen e tyre

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Ferizaj tash e disa muaj funksionon vetëm me një rëntgen, ndërsa rëntgeni tjetër më shumë funksionon për raste emergjente.

Drejtoresha e kësaj Qendre, Nadire Ymeri, tha se njëri nga rëntgenët është funksional e tjetri ka defekte.

“Rentgeni është funksional vetëm për raste emergjente, njëri është funksional, tjetri ka defekt. Ka kohë që nuk është funksional, ka disa muaj, më pak se një vit. Nuk kemi ndonjë njoftim tjetër prej Ministrisë së Shëndetësisë, do të thotë ende vlen kjo deri sa të na vjen ndonjë njoftim tjetër prej Ministrisë së Shëndetësisë. Për diagnostikë na informon Ministria e Shëndetësisë kur duhet të fillojmë me kapacitet të plotë”, u shpreh Ymeri.

Në anën tjetër drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Bekim Ademi, tha se pjesa e filmit e rëntgenit është dëmtuar andaj ai nuk është funksional.

“Është dëmtu pjesa e filmave nuk ka pasë operator të përzgjedhur që i rregullon këto”, theksoi ai.

Dështimi i tenderit

Për rregullimin e rëntgenit  si dhe mirëmbajtjen e tyre vitin e kaluar ka qenë i hapur tenderi, por asnjë operatorë nuk ka aplikuar.

Drejtori i Shëndetësisë në Ferizaj thotë se tenderi ka dështuar si pasojë e mos aplikimit të operatorëve.

Ndërsa, arsyeja pse nuk kanë aplikuar operatorët ka qenë vlera e këtij tenderi, që për aplikuesit, Ademi thotë se e kanë vlerësuar si vlerë të vogël.

Vlera e këtij tenderi ka qenë 45 mijë euro, për tre vite.

“Po ka dështuar, për shkak se nuk ka pas të interesuar për shkak të vlerës së vogël, 45 mijë euro për tri vite, po nuk ka apliku askush”, konfirmoi ai.

Tutje, Ademi tha se tash do të detyrohen të rrisin vlerën e këtij tenderi deri në 10 mijë euro, në mënyrë që të aplikojnë operatorët.

“Ne, tash detyrohemi me ritenderu prapë me një shumë më të madhe, nuk jam i sigurt por më duket edhe 10 mijë euro më shumë, aq sa kam informacion shkon deri ne 50 mijë. Unë mendoj që nuk ka qenë ndoshta edhe shuma e vogël për mos me apliku dikush, operatorët që merren me këtë punë e kanë konsideruar kinse të vogël dhe nuk ka aplikuar asnjë”, theksoi ai.

Drejtoresha e QKMF-së, Nadire Ymeri, nuk e di arsyen pse ka dështuar ky tender, por thotë se duhet të shpallet një tender tjetër.

“Vitin e kaluar e kemi shpallë një tender për servisim të aparaturës së rengenit mirëpo ka dështu në procedura atje. Nuk e di saktë pse, ne tash prapë duhet me shpallë tenderin e pastaj me tender kush do që e fiton vjen e rregullon edhe rëntgenin”, u shpreh ajo.

Por, shtyrjen e shpalljes së tenderit ajo e arsyeton me përhapjen e pandemisë COVID-19.

“Ne faktikisht për shkak të pandemisë i kemi shty edhe këto kërkesat për me shpallë tenderin, tash kemi fillu me disa inicime vetëm për me shpallë tenderin, kjo së shpejti do të inicohet për servisimin dhe rregullimin e rëntgenit”, tha Ymeri.

Feim Ibrahimi nga zyra e prokurimit, nuk është i informuar për këtë tender. Ai thotë se ka një muaj që është punësuar dhe nuk është i informuar.

“Cili tender është fjala? Nuk kam unë njohuri për këtë, unë kam hy në punë vonë, 1 muaj e diçka jam t`u punu”, tha ai.

Nuk ëshë vetëm ky tender që anuluar. Edhe në korrik të vitit 2017, tenderi për rregullimin dhe mirëmbajtjen e këtyre rëntgenëve ishte anuluar disa herë, ndërsa më 9 tetor ky tender u anulua për herë të dytë me arsyetimin e ishin evidentuar problemet ne hapje të ofertave.

Vlera e këtij tenderi ishte 47 mijë euro.