QKMF në Deçan kërkon nga Ministria furnizim me paisje dezinfektuese

Qendra Kryesore e Mjeksësisë Familjare (QKMF) “Adem Ukëhaxhaj” në Deçan ka njoftuar se mbi 90 për qind e paisjeve dezinfektuese janë shpenzuar.
Kjo QKMF përmes një shkrimi në “Facebook”, ka apeluar nga organet vendimarrëse që t’i furnizojnë me maska, dorëza dhe rroba mbrojtëse.
“QKMF ” Adem Ukëhaxhaj” Deçan njofton te gjitha instancat relevante të Republikës së Kosovës e në veçanti ministrin e shëndetsisë z. Arben Vitia dhe të gjithë qytetarët se rezeravat me medikamente dhe paisjet dezinfektuese siç janë maskat, dorezat, rrobat mbrojtëse për stafin e urgjencës të cilat janë siguruar nga Komuna Deçan dhe kryetari Ramosaj janë mbi 90% te shpenzuara”, thuhet në njoftimin e tyre.
Përderisa dje, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, ka paralajmëruar furnizim për në ditët në vijim.
“Kemi bërë furnizimet e reja në komunat ku janë ndaluar hyrje –daljet (Viti, Klinë, Malishevë e Podujevë) dhe furnizime të tjera edhe më të qëndrueshme do të bëhen ditëve në vijim, pas kontraktimit që ka bërë dje Ministria;
Dje ka përfunduar procedura për kontraktimin e mjeteve mbrojtëse mjekësore për personelin shëndetësor si: maska-respirator FFP2, veshje mbrojtëse për trup, mburoja për fytyrë, çarqafë dhe mjete të tjera për personalin mjekësor dhe shërbimet e tjera mbështetëse si Polici, Dogana dhe të tjerët nga mjetet 400 000 euro të ndara më parë nga Qeveria”, ka thënë Vitia.
Qeveria e Kosovës ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme të shëndetit publik.
Deri më tani janë konfirmuar 19 raste me coronavirus në Kosovë.
Dy raste të para me coronavirus në Gjakovë janë identifikuar dje.
Ndërkaq, Mali i Zi poashtu dy rastet e para me coronavirus i ka konfirmuar të martën.