QKK: Ky vit dëshmoi edhe njëherë potencialin e madh të kinemasë kosovare 

Në përfundim të këtij viti, Qendra Kinematografike e Kosovës ka organizuar një aktivitet për të reflektuar mbi punën e tyre gjatë vitit 2024.

Sipas tyre, gjatë vitit 2024 janë mbështetur 35 projekte filmike, për çka e shënuan si anagzhim të rëndësishëm në zhvillimin e artit në vend. 

Po ashtu, ata njoftojnë se filmi “Rrugës” nga Samir Karahoda dhe “Si e verdhë e Sëmurë” nga Norika Sefa, “Krahët e Punëtorëve” nga Ilir Hasanaj, “Okarina” nga Alban Zogjani dhe “Heshtja e Sirenave” nga Gazmend Nela patën premierat e tyre këtë vit, duke arritur sukses të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare. 

QKK vlerësoi edhe  produksionet minoritare si “Lunapark” nga Florenc Papas dhe “Gulizar” nga Belkis Bayrak, për çka thanë se  forcuan prezencën e kinemasë kosovare në bashkëpunime ndërkombëtare. 

Ata kanë përmendur edhe nënshkrimin e një marrëveshjeje për bashkëprodhim me Bullgarinë për të hapur mundësi të reja për zgjerimin e  industrisë së filmit  në nivel kombëtar, si dhe shtimin e rregullores së rabatit për investime të huaja në kinematografi. 

Gjatë këtij takimi, ata njoftuan se të pranishëm ishin edhe kryeministri, Albin Kurti, Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, zëvendësministrja, Daulina Osmani, deputetë, përfaqësues të qeverisë, drejtues të institucioneve kulturore dhe personalitete të njohura nga bota e filmit.

“Ky vit dëshmoi edhe një herë potencialin e madh të kinemasë kosovare dhe rëndësinë e saj në promovimin e kulturës dhe artit në nivel global” – thuhet në njoftimin e QKK-së, të lëshuar të shtunën, më 28.12.2024.