Qiramarrësit e lokaleve afariste në pronësi të Komunës së Skenderajt lirohen nga pagesa dhe taksa për sivjet

Kuvendi Komunal i Skenderajt ka miratuar sot propozim-vendimin e kryetarit Bekim Jashari për lirimin nga pagesa e qirasë për periudhën e mbetur të vitit për qiramarrësit e lokaleve afariste në pronësi të Komunës.

Sipas njoftimit të kësaj Komune, të gjitha bizneset në komunën e Skenderajt, të cilat paguajnë taksë për shfrytëzimin e hapësirës publike lirohen nga pagesa për periudhën e mbetur të vitit 2020.

Ky vendim është në kuadër të përkrahjes e bizneseve, fermerëve dhe OJQ-ve, në rimëkëmbjen e tyre pas gjendjes emergjente të krijuar nga pandemia COVID-19.

“Po ashtu me këtë vendim sipas mundësive dhe hapësirave që posedojmë  do t’i mbështesim OJQ-të lokale në sigurimin e hapësirave të punës në objektet publike, gjithashtu komuna të rrisë buxhetin për subvencione për bujqit dhe për subvencione në fushën e zhvillimit ekonomik, për vitin 2021”, thuhet në komunikatën për media.

Në këtë mbledhje u miratuan edhe Korniza Afatmesme Buxhetore (KAB), Propozim-Vendim për Miratimi e Grandeve të Bujqësisë si dhe informata rreth punës së Drejtorisë së Inspektoratit.