Ilustrimi: KALLXO.com

Qiraja e ndërtesave i kushtoi 10.4 milionë euro institucioneve në vitin 2019

Të gjitha institucionet e Kosovës, duke përfshirë ato qendrore dhe lokale kanë shpenzuar 10.4 milionë euro në vitin 2019 për të paguar qiranë e ndërtesave.

Këto të dhëna janë publikuar nga Ministria e Financave në Raportin vjetor financiar të vitit 2019, të dhëna që nuk janë ende të audituara.

Në vitet 2017 dhe 2018, institucionet kanë shpenzuar rreth 2 milionë euro më pak për qiranë e ndërtesave. Saktësisht në vitin 2018, këto institucione nga buxheti i Kosovës kanë shpenzuar 8,484,000 euro kurse në vitin 2017 kanë shpenzuar 8,203,000 euro.

Në tri vitet e fundit, 2017, 2018 dhe 2019, institucionet kanë harxhuar 27 milionë euro për qiranë në ndërtesa.

Në raportin vjetor financiar 2019 janë të përfshira pasqyrat financiare të pa-audituara të të gjitha institucioneve që janë në kuadër të Buxhetit të Republikës së Kosovës, por nuk përfshihen ndërmarrjet publike.

Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj e kishte marrë mandatin më 9 shtator 2017.

Qeveria Haradinaj do të mbahet mend për numrin më të madh të zëvendëskryeministrave, ministrave e zëvendësministrave. Kryeministri ka pas vetes 5 zëvendëskryeministra, 21 ministra dhe mbi 70 zëvendësministra.

Qeveria e Kosovës, në krye me Ramush Haradinajn rreth 1 muaj pas ardhjes së saj në pushtet kishte marrë vendim që t’i falë borxhet për ambalazhuesit e ujit. Në mbledhjen e 5 qershorit të vitit 2018, qeveria Haradinaj mori vendim që t’i ndajë 53 milionë euro shtesë për kompaninë “Bechtel&Enka” për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Shkup.

Gjithashtu, Qeveria Haradinaj do të mbahet mend edhe për shpenzimin e rezervave shtetërore.

Qeveria e Kosovës, kishte shpenzuar gati gjysmën e rezervave shtetërore vetëm për tre muajit e parë të vitit 2018. Për shpenzimin e këtyre mjeteve shqetësim kishte ngritur edhe atëherë ministri i Financave, Bedri Hamza duke thënë se “rezervat janë duke shkuar kah fundi”.

Haradinaj kishte dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit më 19 korrik të vitit 2019.

Më 22 gusht 2019, me 89 vota për, 1 kundër dhe 2 abstenime, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për shpërndarjen e legjislaturës së gjashtë, duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Zgjedhjet e parakohshme janë mbajtur më 6 tetor 2019. Fituese e këtyre zgjedhjeve doli Lëvizja Vetëvendosje. Pas bisedimeve disa mujore, më 3 shkurt 2020, koalicioni LVV-LDK formoi qeverinë me kryeministër Albin Kurtin.

Qeveria Kurti është rrëzuar dje, 24 mars, me mocion votëbesimi, të iniciuar nga LDK. LDK e ka iniciuar këtë mocion pasi kryeministri në detyrë Albin Kurti shkarkoi Agim Veliun nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

KALLXO.com përmes kërkesës për qasje në dokumente publike kishte marrë faturat e shpenzimeve të drekave dhe darkave zyrtare të ish-kryeministrit Haradinaj dhe zëvendëskryeministrave.

KALLXO.com raporton në vazhdimësi për shpenzimin e parasë publike nga zyrtarët e lartë publikë. Të gjitha shkrimet në lidhje me shpenzimet e komunave dhe qeverisë mund t’i lexoni KËTU.