Ilustrim

Qindra viktima nga tërmeti i fuqishëm në Turqi dhe Siri

Një tërmet i fuqishëm prej 7.8 shkallësh të Rihterit goditi të hënën juglindjen e Turqisë dhe veriun e Sirisë, duke lënë të vdekur qindra persona.

Zëvendëspresdenti i Turqisë, Fuat Oktay, tha se numri i viktimave ka arritur në 284, ndërkaq 2.323 të tjerë janë plagosur.

Ministria e Shëndetësisë së Sirisë tha se 237 persona janë vrarë në provincat e kontrolluar nga Qeveria, në Alepo, Hama dhe Tartus, ndërkaq mbi 600 persona të tjerë janë plagosur.

Turqia gjendet mbi një nga linjat më të mëdha sizmike dhe shpesh goditet nga tërmetet.

Epiqendra e tërmetit të së hënës ishte rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, tha Shërbimi Gjeologjik amerikan.

Ka pasur edhe tërmete pasuese, përfshirë edhe një në shkallë prej 6.7 shkallësh të Rihterit.

Në të dy shtetet po zhvillohen operacione për të shpëtuar njerëzit e bllokuar nën rrënoja pas rrëzimit të ndërtesave. Në dy anët e kufirit, banorët ishin në gjumë kur goditi tërmeti dhe ata dolën jashtë në mot të ftohtë, me borë dhe shi, teksa ndërtesat u rrëzuan.


Në banor i qytetit turk, Adana, tha se tri ndërtesa pranë shtëpisë së tij kolapsuan.

“Nuk kam fuqi më”, është dëgjuar të ketë thënë një prej të mbijetuarve, i bllokuar nën rrënoja, teksa ekipet e shpëtimit kanë bërë përpjekje që ta shpëtojnë, tha banori i Adanit, Muhammet Faith Yavus.

Në anën siriane të kufirit, tërmeti goditi rajonet e kontrolluara nga opozita, që jetojnë afër 4 milionë të zhvendosur nga pjesë të tjera të Sirisë, për shkak të luftës civile në vend. Shumica prej tyre jetojnë në kushte të rënda dhe pa përkujdesje shëndetësore, teksa territoret ku gjenden ata janë të rrethuara nga forcat siriane.

Autoritetet turke thanë se pas tërmetit të parë të fuqishëm janë regjistruar edhe të paktën 20 lëkundje të tjera pasuese.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, shkroi në Twitter se ekipet e kërkim-shpëtimit menjëherë reaguan pas dridhjeve të fuqishme të tokës.

“Shpresojmë se do ta kalojmë këtë fatkeqësi së bashku sa më shpejt që të jetë e mundur dhe me sa më pak dëme”, shkroi ai.

Turqia, ku ishte epiqendra e tërmetit, shpesh goditet nga tërmete të fuqishme. Afër 18.000 persona ishin vrarë nga tërmetet e fuqishme që kishin goditur shtetin më 1999./REL