Qindra aplikime për kompensim pas vërshimeve në Fushë Kosovë, komuna i dërgon në Qeveri

Mëngjesin e 11 janarit, disa komuna në vend u përfshirë nga vërshimet si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut.

Nga këto vërshime, u prekën shumë familje në Rahovec, Gjakovë, Malishevë, Vushtrri e Fushë Kosovë.

Në masë të madhe, u prek Komuna e Fushë Kosovës, në të cilën për pasojë të vërshimeve u shkaktuan dëme të mëdha në toka bujqësore, lokale, shtëpi banimi, e vetura të qytetarëve.

Në këtë ditë, shumë qytetar të Fushë Kosovës mbetën të bllokuar brenda vendbanimeve të tyre për shkak të pamundësie për qarkullim për shkak të vërshimeve.

Disa ditë pas vërshimeve, KALLXO.com ka mësuar se qytetarët e komunës së Fushë Kosovës, të cilëve vërshimet ju shkaktuan dëme të konsiderueshme, kanë aplikuar për kompensim të dëmeve në Komunën e Fushë Kosovës.

Drejtori për shërbime publike në Fushë Kosovë, Maliq Berisha në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se kanë pranuar rreth 100 aplikacione nga qytetarëve për mbulimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet.

Në përgjigjen e Berishës thuhet se për kompensim të dëmeve është formuar një komision i veçantë.

“Kemi formuar komisionet e veçanta për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet në muajin e kaluar”, thuhet në përgjigjen e Berishës.

Komuna e Fushë Kosovës ka bërë të ditur se të gjitha aplikacionet e pranuar nga qytetarët e Fushë Kosovës për kompensim të dëmeve, janë dërguar në Qeveri, pasi sipas Berishës ai duhet të bëhet nga ana e tyre.

“Të gjitha këto vlerësime dhe dokumentacione janë dërguar pranë institucioneve përkatëse në Qeverinë e Kosovës sepse mendojmë se ata janë kompetentë dhe kanë mundësi për këtë”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, komunat nuk kanë fonde të mjaftueshme për t’i mbuluar dëmet e qytetarëve.

“Pas përgjigjes nga ana e Qeverisë do të shohim mundësitë se si do të veprojmë”, ka thënë Berisha.

KALLXO.com ka raportuar se Qeveria në detyrë e udhëhequr nga Avdullah Hoti ka ndarë 1 milion euro për komunat e përmbytura nga reshjet e shiut, në javën e parë të janarit.

Qeveria udhëzon ministrinë të caktojë kriteret për ndarjen e fondeve lidhur me vërshimet