Foto: QIKA - Facebook

“QIKA” bën thirrje për pjesëmarrje në marshin protestues për të drejtat e grave më 8 mars

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA , ka bërë thirrje që më 8 mars të marshohet për të drejtat e grave, duke e përkrahur marshin e organizuar nga Kolektivi “Marshojmë S’festojmë”, në protestën e organizuar për të martën e ardhshme nga ora 12:00 në Prishtinë.

“QIKA” ka theksuar se për nder të Ditës Ndërkombëtare të Gruas do të marshohet për të drejtat e grave, ku do të bëhet thirrje për përgjegjësi nga institucionet e vendit, pasi sipas tyre, kanë treguar neglizhencë në trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave.

“Papunësinë e varfërinë që prekin më së shumti gratë do t’i kundërshtojmë duke marshuar në rrugët e qytetit e duke u solidarizuar me mesazhe feministe nga dritaret e ballkonet tona” thuhet në publikimin e QIKA-s në Facebook.

Kjo qendër ka theksuar se shtypja dhe diskriminimi luftohen vetëm të bashkuar dhe të organizuar.

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA është organizatë e themeluar në gusht të vitit 2020, që për qëllim ka mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Në çdo 8 mars në Kosovë, organizohet marsh protestues për të drejtat e grave.