Foto:KALLXO.com
QIKA aksion para KGjK-së, kërkohet të ndërmerren masa disiplinore ndaj gjykatësve për rastin e dhunimit në Gjilan
“Seksistat se kanë vendin në Gjykatë”, “Jo i bjen JO”, “Aktgjykim seksist”, janë disa nga mbishkrimet e vendosura sot para Këshillit Gjyqësor të Kosovës nga aktivistët e Qendrës për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA) së bashku me disa organizata të tjera.
Ky aksion simbolik është organizuar lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjilan që shfajësoi pesë burra të akuzuar për përdhunim në grup të një vajze 19 vjeçare në vitin 2012.
Aktivistja nga organizata “Qika”, Leonida Molliqaj tha se ky aktvendim është i papranueshëm sepse legjitimon dhunuesit dhe fajëson viktimën.
“Sot jemi mbledhur para KGjK-së për të kundërshtuar aktvendimin seksist të Gjykatës Themelore në Gjilan që i shfajësoi pesë burra për përdhunim të një vajze 19 vjeçare. Ky aktvendim është i papranueshëm për neve sepse legjitimon dhunuesit dhe fajëson viktimën. Gjykata ka përdorur shprehje seksiste dhe diskriminuese në bazë të gjinisë për të arsyetuar lirimin e dhunuesve”, tha ajo.
Molliqaj tha se QIKA kërkon nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës të ndërmarr masa disiplinore ndaj trupit gjykues të këtij rasti.
“Kërkojmë nga KGjK-ja që menjëherë të ndërmarrë masa disiplinore ndaj gjykatësve në këtë rast. Ne themi se jo bie jo, në taksi, në banesë, në çdo hapësirë e në çdo kohë”, u shpreh ajo.