
Qeveritarët të cilët janë zgjedhur Deputet obligohen me Ligj të japin dorëheqje para certifikimit të rezultatit të Zgjedhjeve
Me Ligjin për Qeverinë që ka hyrë në fuqi në nëntor të vitit 2022 parashihet që anëtarët e Kabinetit qeveritar të cilët zgjidhen Deputet duhet të japin dorëheqje nga pozitat e tyre, para certifikimit të rezultatit të Zgjedhjeve.
Pika 1 e Nenit 26 e këtij Ligji thotë: Në rast se anëtari i Qeverisë në detyrë zgjidhet Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i njëjti duhet të japë dorëheqje nga posti i anëtarit të Qeverisë, para ditës së certifikimit të rezultatit të Zgjedhjeve.
Mandati i Qeverisë sipas Ligjit është i lidhur me mandatin e Kuvendit të Kosovës. Legjislatura e tetë është konstituar më 22 mars 2021 dhe mandati i saj sipas Kushtetutës është katër vjet, praktikisht deri më 22 mars 2025.
Duke qenë se mandati i Qeverisë lidhet direkt me atë të Kuvendit të Kosovës, Neni 26 i Ligjit për Qeverinë ka krijuar paqartësi se si do të veprojnë anëtarët e Kabinetit qeverisës në rrethanat aktuale – marrë parasysh se për herë të parë përballet vendi me një situatë të tillë. Si rrjedhojë, ende është pikëpyetje nëse Kryeministri dhe anëtarët e tjerë të Kabinetit të tij qeveritar do të japin dorëheqje – në përputhje me këtë Ligj.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu thotë se Qeveria do të kujdeset që të mos ketë vakuum institucional.
“Do të kujdesemi që të mos ketë vakuum insititucional dhe pas certifikimit të rezultateve do të punojmë që sa më parë të kemi Qeverinë e re, për të vazhduar qeverisjen e mirë.” – ka deklaruar Kryeziu për Kallxo.com, duke mos u përgjigjur drejtpërdrejt nëse do të ketë dorëheqje në Qeveri para certifikimit të rezultateve të Zgjedhjeve.
Në grupin e qeveritarëve të cilët e kanë fituar mandatin e Deputetit janë: kryeministri Albin Kurti, zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla-Schwarz, zëvendëskryeministrja Emilja Rexhepi, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ministri i Financave Hekuran Murati, ministri i Bujqësisë Faton Peci, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, ministri i Kulturës Hajrulla Çeku, ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci, ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, ministrja e Tregtisë Rozeta Hajdari, ministri për Komunitete dhe Kthim Nenad Rashiq, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi, ministri i Zhvillimit Rajonal Fikrim Damka, si dhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Liza Gashi.
Arbëresha Loxha-Stublla, drejtoreshë ekzekutive e Grupit për Studime Politike dhe Juridike thotë se Qeveria në rrethanat e tanishme konsiderohet “Qeveri në largim” dhe se kompetencat e saj janë të kufizuara.
“Kompetencat e Qeverisë aktuale si Qeveri në largim janë të kufizuara, në kuptimin e implementimit të punëve të cilat nuk krijojnë obligime/iniciativa të cilat nuk kanë qenë gjatë kohës, para se të kalonte në ‘Qeveri në largim’.” – ka deklaruar Loxha-Stublla.
Tutje, ajo thotë se anëtarët e Kabinetit të Qeverisë nuk munden në të njëjtën kohë të ushtrojnë rolin e Ministrit dhe Deputetit.
“Qeveria ndonëse me kompetenca të kufizuara, mbetet në fuqi dhe rrjedhimisht anëtarët e Qeverisë nuk mund të ushtrojnë në të njëjtën kohë rolin e Ministrit/es në largim, e edhe atë të Deputete/s-it.” – ka shtuar ajo.
Eugen Cakolli, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës, e interpreton ndryshe këtë çështje. Mandati i Qeverisë, sipas tij, lidhet drejtpërdrejt me mandatin e Kuvendit, i cili përfundon me certifikimin e rezultateve të Zgjedhjeve; jo me përmbushjen e katër vjetëve nga konstituimi i Kuvendit (më 22 mars).
Prandaj, siç shpjegon ai, përmes një statusi në Facebook, Qeveria aktuale ushtron të gjitha kompetencat e saj kushtetuese deri në certifikimin e rezultateve nga KQZ-ja.
“Anëtarët e Kabinetit qeveritar që janë zgjedhur Deputet duhet të japin dorëheqje para certifikimit të rezultateve. Vetëm atëherë, Qeveria kalon në statusin e ‘Qeverisë në detyrë’ – derisa të zgjidhet Qeveria e re.” – ka shkruar ai.
Më 27.02.2025, KALLXO.com ka dërguar pyetje në KQZ se çfarë ndodh në rastin kur anëtarët e Kabinetit qeveritar të cilët janë zgjedhur Deputet nuk japin dorëheqje, por zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi nuk ka kthyer përgjigje se si do të veprojë KQZ në një situatë të tillë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk ka dalë ende me rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025. Ndonëse procesi i numërimit të votave ka përfunduar më 05.03.2025, subjekteve politike u jepen 48 orë për të ushtruar Ankesa në PZAP dhe Gjykatë Supreme.
Sipas shifrave të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka marrë 396,022 vota, apo 42.27%, me 48 mandate. PDK-ja është renditur e dyta me 196,353 vota, apo 20.96%. Lidhja Demokratike (LDK) me 171,249 vota, apo 18.28% dhe Koalicioni AAK-Nisma ka marrë 66,226 vota, apo 7.07%.
Lista Serbe do t’i ketë 9 ulëse, ndërsa 1 ulëse nga komuniteti serb e ka fituar partia e Nenad Rashiqit. 10 ulëset e tjera u përkasin komuniteteve të tjera joshumicë joserbe. Dy deputetë do t’i ketë Kosova Demokratik Partisi dhe nga një ulëse për Deputet e kanë siguruar: Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Nova Demokratska Stranka, Socijaldemokratska Unija, Partia Liberale Egjiptiane, Koalicija Vakat, Partia e Ashkalinjve për Integrim, Jedinstvena Goranska Partija dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës.
Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë të gjashtat me radhë që janë mbajtur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008.