Foto: Zyra e Kryeministrit

Qeveritarët pa maska e me duarshtrëngime, përurojnë rrugën Deçan–Plavë - FOTO

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, zyrtarë të tjerë qeveritar, deputetë dhe përfaqësues komunal kanë marrë pjesë në përurimin e asfaltimit të segmentit të parë të rrugës Deçan–Plavë.

Por në këtë ngjarje, zyrtarët institucional nuk kanë zbatuar rekomandimet për vendosje të maskave, dorezave apo mbajtjen e distancës fizike, si masa parandaluese të përhapjes së COVID-19.

Në fotografitë e dërguara përmes një komunikate nga Zyra e Kryeministrit, të njëjtit shihen edhe duke i shtrënguar duart.

Në ngjarje është parë edhe ish-kryeministri i vendit Ramush Haradinaj.

Sipas të dhënave zyrtare, deri më tani në Kosovë janë infektuar 1,615 persona, janë shëruar 963 dhe kanë vdekur 34 persona.
 
Foto: Zyra e Kryeministrit

Ndërkaq, sipas njoftimit lidhur me këtë ngjarje,  Hoti ka thënë se se është i nderuar të marrë pjesë në përurimin e kësaj rruge, projekt ky i rëndësishëm për trojet shqiptare.

“Jam vërtet i nderuar që në ditët e para të mandatit e përurojmë një projekt të rëndësishëm të qeverive të kaluara, disa ministra me radhë kanë punuar në këtë projekt, dhe jam shumë i nderuar që sot një pjesë të kësaj rruge e përfundojmë dhe bashkë me ministrin e Infrastrukturës morëm obligimet për të quar më tutje këtë projekt të rëndësishëm për trojet shqiptare”, citohet të ketë thënë ai.

Duke e quajtur këtë rrugë të një rëndësie strategjike për të gjithë shqiptarët, kryeministri Hoti siguroi kryetarin e Komunës së Deçanit, se do të jenë së bashku për të quar deri në kufi këtë rrugë dhe bashkë me bashkëkombësit tonë matanë kufirit ta lidhin deri në destinimin e saj.

Sipas njoftimit, kryeministrit në këtë ceremoni, nga kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, iu nda dekorata “Rruga e jetës”.

 

 

Foto: Zyra e Kryeministrit

 

Foto: Zyra e Kryeministrit