Qeveritarët i dalin në mbështetje Hekuran Muratit

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati sot është gjuajtur me miell nga aktivistët e Partisë Socialdemokrate.

Ndonëse ai vendosi që të mos reagojë ndaj kësaj ngjarje, as në vendin ku ndodhi ngjarja e as deri më tani, disa prej kolegëve të tij i kanë dalë në mbrojtje.

Jeton Zulfaj, këshilltari politik i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur veprim huligan.

“Të sulmosh ministrin Hekuran Murati në emër të punëtorëve, ditën kur ai lajmëron ndihmë financiare qindra milionë euro për të gjithë punëtorët tregon krizën e thellë të mungesës së parimeve, ideve dhe të kauzës të atyre që e sulmuan. E kur mungojnë parimet, idetë dhe kauza, ky aksion është asgjë më shumë se një veprim huligan, i neveritshëm dhe me plotë urrejtje” – ka shkruar Zulfaj.

Një reagim tjetër erdhi edhe nga ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci.

Ajo ajo tha e respekton Muratin për profesionalizmin, modestinë dhe guximin e tij.

“Ministri Murati dhe secili nga ne e kemi detyrim ta respektojmë ligjin. Të njejtën duhet ta bëjnë edhe zyrtarët komunalë. E respektoj ministrin Murati për profesionalizmin, modestinë dhe guximin e tij” – tha ajo.

Mirëpo, një mendim tjetër pati për veprimin e aktivistëve të PSD-së. Ajo tha se aktivitetet duhet të bëhen me vend dhe jo veç sa për tu bërë.

“Ndërkaq, vërejtjet, kritikat dhe aksionet duhet të bëhen me vend e jo sa për t’u bërë” – u shpreh Nagavci.

Mbështetje për ministrin Murati dha edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku.

“I heq kapelën ministrit Murati, buzëqeshja e tij është integriteti i tij moral e profesional. Është përgjigjja e të dinjitetshmit ndaj kamikazit politik. Për ju kemi vetëm buzëqeshje. Edhe zemrat tuaja plot helm meritojnë shërim” – ka shkruar në Facbook ministri Çeku.