Qeverisja e PDK-së konteston projektin e çerdhes që ishte nisur në kohën e Bekim Jasharit - si opsion mendojnë edhe rrënimin e saj (VIDEO)

Komuna e Skenderajt po vë në dyshim projektin e çerdhes që është në ndërtim e sipër. Sipas tyre, punimet nuk janë kryer sipas standardëve.

Mbi 100 mijë euro nga taksapaguesit janë dhënë deri në këtë fazë, përderisa Komuna thotë se kanë dy opsione – revidimin ose rrënimin.

Zëdhënësi i Komunës, Amir Lushtaku thotë se problemet kryesore kanë të bëjnë me katin që sipas tij është nën standarde si dhe probleme tjera me pjesën e kulmit si dhe dimensionet e dritareve.

“Problemet kryesore me projekt kanë të bëjnë me katin, është kat nën standarde. Dmth është nën dy metra, gjithashtu ka probleme me pjesen e kulmit, nuk ka ujëmbjellës, ka problem me dimensionet e dritareve, janë gjigante – jashtë standarteve, nëse vendosen si të tilla janë rrezik për fëmijtë brenda gjithashtu ka probleme me paramasë, e specifikuar vetëm një derë e brendshme, kurse në terren janë dhjetra dyerë të brendshme, këto janë vec si probleme të mëdha për atyre tjerave në terren”- ka thënë Lushtaku në një intervistë me KALLXO.com.

Punimet në këtë çerdhe kanë filluar në 2020, gjatë qeverisjes së ish-kryetarit të Skenderajt, Bekim Jasharit.

Ndërkaq, asamblisti nga Lista Ideal, Avdulla Gashi thotë se mirëpresin ndryshimet po asesi rrënimin.

Gashi është shprehur se dritaret munden të zvogëlohen me pak mjete.

“Ka  thanë Fadil Nura sa i përket përmasave të këtij objekti, dritaret janë jashtë standarit, janë ma të mëdhaja se sa duhet. Unë e them prapë, nëse janë jashtë standardit, një reformation, dritarët munden me u zvogëlu me pak mjete, e jo me u rrënu objekti, për shkak të një dritare, dy dritare”- deklaroi ai.

Ai pretendon se rrënimi mund të bëhet për “grupe të interesit”.

“Kush ma hjek atë mendim nuk ka. Përse e them këtë?! Qeverisjes Nura i ka humb vizioni, dhe me ato prona sado pak që i kanë mbet komunës së Skenderajit me ua dhanë grupeve të interesit”- thotë Gashi.

Nga Komuna thonë se edhe nëse ndodhë rrënimi, çerdhes së re nuk do t’i ndërrohet prona.

“Në rast se është opsioni më i keq – rrënimi, atëherë që cerdhja do të ndërtohet në të njëjtin vend” – ka theksuar zëdhënësi i Komunës.

Në këtë projekt kanë punuar dy operatorë ekonomik.

Kompania “World Medium” nga Malisheva e cila është marrë me punimet e vrazhda thotë se punimet i kanë kryer sipas projektit.

Sipas përgjigjes së tyre për KALLXO.com, kompania thotë se janë pajisur me çertifikatë të pranimit teknik dhe referencë pozitive për punët e kryera konform planit dinamik.

“Ne si kompani punëkryese i kemi përfunduar të gjitha punët e parapara me paramasë dhe në bazë të projektit zyrtar të pranuar nga Autoriteti Kontraktues. Ne jemi pajisur me çertifikatë të pranimit teknik dhe referencë pozitive për punët e kryera konform planit dinamik dhe me cilesi të lartë”- janë shprehur nga komania “Ëorld Medium”.

Kurse, kompania tjetër “Wenda” thotë se kanë shkëputur vetë kontratën sepse nuk pranojnë të punojnë në këtë projekt që sipas tyre, rrezikon fëmijët.

“Ne i kemi pasur vetëm punët finale, por ka gabime shumë të mëdhaja. Na e kemi shkëput kontratën se nuk jemi pajtuar me projektin për punimet që na kemi pasur për t’i kryer. 17 metra i ka hapësirë e askund nuk ka shtyllë. Dritarët qe janë lëvizie dikund duhet me u mbajtë, një frymë mundet mi rrëziku fëmijtë”- ka thënë kompania “Ëenda”.

Ky projekt i nisur në vitin 2020 ka qenë në bashkëfinancim me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal.

Aktualisht në Skenderaj duke u punuar është edhe një çerdhe në lagjen 1, e cila është financim nga Bashkimi Evropian.

Për çerdhen e vetme aktualisht publike, qeverisja Nura po planifikon renovimin për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet.