
Qeverisja e Leposaviqit nga Lulzim Hetemi – Problemet politike, mbështetja nga Prishtina dhe pretendimet për ‘listën e zezë të KFOR-it’
Zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23.04.2023 të mbajtura në katër komunat veriore të Kosovës, e sollën në krye të Komunës së Leposaviqit Lulzim Hetemin nga Lëvizja Vetëvendosje.
Situata e sigurisë eskaloi kur serbët lokalë dhe grupet kriminale u mobilizuan që t’i pengojnë kryetarët të hyjnë në objektet kryesore të komunave.
I vetmi që arriti të hyjë në komunë ishte Lulzim Hetemi me ndihmën e policisë, i cili për shtatë muaj nuk doli nga aty.
Me çka krenohet Lulzim Hetemi si kryetar i Leposaviqit?
Përgjatë një viti e gjysmë deri sa është në pushtet, kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi ka cilësuar si arritjen kryesore të tij, funksionalizimin e komunës, shtrirjen e sovranitetit dhe sipas tij lindjen e diellit për qytetarët e Leposaviqit pas 30 vitesh.
“Për një vit ne kemi qenë këtu të mbyllur, puna më e madhe është që kemi arritur t’i bindim amerikanët dhe ndërkombëtarët që këtu nuk ka problem, nuk e kemi problemin me qytetarin serb, por e kemi pasë me banda dhe njerëz të korruptuar. Arritja më e madhe është që kemi shtri sovranitet edhe kemi arritë që komunën ta stabilizojmë edhe ta kthejmë në Komunë të Republikës së Kosovës. Kur kemi ardhë, unë si kryetar e kemi hi, në ditët e para, kjo komunë ka qenë krejt me dokumentacione serbe edhe simbole serbe”- tha Hetemi.
“Investimet i kemi nisur me FFK-në së pari, para tre muajsh. E kemi një marrëveshje d.m.th është këtu në qytetin tonë, në Leposaviq. Është kompleks sportiv, me të gjitha të tjerat, me pishinë olimpike, me të gjitha. E kemi një marrëveshje dhe ia kemi nis punës. Para dhjetë viteve (ka fillu) edhe absolut pos një vend, një grop ish ba ty, na e kemi ndërmend me FFK-në me rregullu. Ne i kemi diku sivjet buxhet 800,000 euro”- tha ai.
Sipas kryetarit të Leposaviqit, 50 përqind do të investojë komuna e 50 përqindëshin tjetër do të investojë Federata e Futbollit të Kosovës.
Në buxhetin prej 2.9 milionë euro për vitin 2025 të aprovuar nga Asambleja Komunale e Leposaviqit, pjesa më e madhe e të hollave do të shkojnë në asfalt. Sipas Hetemit komuna ka nevojë për një investim të tillë.
“Se më herët, këtu nuk kishin asfaltuar rrugë. Është interesante tash kur të kritikojnë, unë e di që edhe prej pas luftës, Leposaviqi është i njëjtë. Miliona prej Serbisë, miliona prej Kosovës, prej Bashkësisë Europiane, prej të gjithave. Unë kam menduar që këtu nuk ka varfëri, por këtu ishte varfëri e skajshme. D.m.th këtu ka përfituar vetëm një grup ose Lista Serbe me disa njerëz që e dijmë ne që janë bërë miliaderë”- tha Hetemi.
Asfalti prioritet ndërsa pak investime në shëndetësi e arsim
Gjatë debatit “Jeta në Komunë”, i pari i Leposaviqit u përballë edhe pyetjet për investimin milionësh të rrugës që lidh fshatrat Bistricë – Koshtovë.
Investimi 1.1 milion euro në rrugën 12 kilometërshe Bistricë – Koshtovë, sipas Hetemit po bëhet në interesin e të gjithë qytetarëve.
“Përfitojnë qytetarët, Bistrica e ka lumin përmes fshatit, është vend i mirë, vend turistik edhe atë rrugë” – tha Hetemi.
Hetemi shpjegoi se përqindja më e madhe që jeton në këto dy fshatra është shqiptare.
Ndonëse kryetari udhëheq më Komunën e Leposaviqit që është e banuar me shumicë serbe, megjithatë ai kundërshton se shumica e buxhetit të komunës po ndahet për investime kapitale në fshatrat me popullsi shqiptare.
Për këtë, ai deklaroi se për rregullimin e sheshit në këtë komunë janë paraparë 450 mijë euro duke thënë se në këtë mënyrë po i trajton me prioritet rregullimin e rrugëve dhe vendeve që kanë nevojë për investime duke qenë i paanshëm.
Nënkryetarja e kësaj komune, Marina Bogojeviq, po ashtu në fjalën e saj tha se pikërisht fshati Bistricë ballafaqohet me probleme të shumta dhe se ka nevojë për investime nga komuna.
“Nëse do t’iu numëroja unë tani se cilat janë problemet e Bistricës, shkolla e pa pajisur, ambulanta në gjendje të shkatërruar, gjithashtu edhe shkolla. Në shkollë punon vetëm një mësuese, ambulanta nuk punon, nuk e kanë doktorin, nuk kanë veturën ambulative, deri sivjet kur iu kemi dhuruar veturën. Të gjitha aspektet e jetës dhe të turizmit në këto fshatra, Cerajë, Kushtovë, Rvatskë janë në nivelin zero apo nën zero”- u shpreh nënkryetarja.
Ajo tutje tha se edhe pse në këtë komunë ishin institucionet paralele, kryetari ketë vit e ka transferuar komplet shërbimin e librit të amzës nga muaji mars dhe se fëmijët mund të regjistrohen.
“Po, sepse këtu edhe pse kanë qenë institucionet paralele, kryetari i komunës tek këtë vit e ka transferuar komplet shërbimin e librit amzës këtu, ndërsa ne kemi paguar taksi prej 90-100 euro vetëm për një drejtim për ta nxjerrë një dokument një ekstrakt. Dhe nga kjo arsye, për shkak të situatës politike, e për këtë do të mund të flisja tani për pesë ditë, nuk kemi mundur që t’i nxjerrim”- tha ajo.
Bogojeviq tutje është deklaruar se deri më tani kanë ardhur shuma të mëdha për investime nga Serbia, Prishtina dhe nga ministritë e ndryshme, mirëpo sipas saj, në terren “nuk është bërë asgjë”.
Gjatë debatit, ajo shtoi se edhe për zvarritjen e punimeve për më shumë se një dekadë e Qendrës Sportive, po ashtu janë ndarë të holla nga Bashkimi Europian, por që nuk u ndërtua ende.
20 mijë euro investime në shëndetësi e 25 mijë euro investime të planifikuara në arsim. Në fushën e shëndetësisë është planifikuar të blihet një ambulantë, ndërsa sa i përket arsimit është planifikuar renovimi i një shkolle në Bistricë të Leposaviqit.
Kryetari i Komunës së Leposaviqit tregon se pse janë ndarë aq pak para për këto dy dikastere.
“Shëndetësinë këtu e kemi paralele. Këto i kemi lanë, i kemi nda për ambulantën e fshatit Bistricë. Jo nuk është blerë. Jo se nuk po duan me bashkëpunu, na kemi bisedu edhe me ministrinë, me nënkryetaren, na i kanë ofruar disa barna. Po na e kanë çu listën se çka na duhet. Na duhet me këqyrë më s’pari një objekt me gjetë e me ba, ku aty shpërndajmë falas barna prej Republikës së Kosovës, Ministrisë së Shëndetësisë”- u shpreh Hetemi.
Sikurse për shëndetësinë, njësoj vlen edhe për arsimin. Këto dy dikastere nuk janë të integruara në sistemin e Republikës së Kosovës dhe funksionojnë si paralele në këtë komunë.
“Vetëm për shkollën fillore në Bistricë “Kadri Bistrica”, e kemi paraparë renovimin e shkollës. Kemi pasë oferta me ardhë disa organizata për çerdhe por nuk kemi hasur mirëkuptim dhe bashkëpunim me ta. S’kemi ma s`pari aq shumë popullatë (për me hap çerdhe)”- potencon Hetemi për investimet në arsim.
Për ndriçimin publik në fshatrat Leshak, Leposaviq dhe Bistricë, i pari i Leposaviqit ka planifikuar buxhet mbi 200 mijë euro në vitin 2025.
“Po, Leshaku është këtu afër, është qytezë, ka banorë boll, Leposaviqin do ta ndriçojmë qytetin qendrën këtu, dhe fshatrat në Bistricë ku janë tre fshatrat, qendrat”- përfundoi Hetemi.
Takimet me Kurtin “vetëm llafe” apo investime në praktikë?
Në debatin “Jeta në Komunë, gazetarja Jeta Xharra ia kujtoi Hetemit takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në shtator, nw tw cilin është përmendur uji si problem në Leposaviq. Mirëpo, sipas informacioneve të “Jeta në Komunë” nuk është fare në buxhet rregullimi i problemit të ujit.
“Për shkak se ka probleme të mëdha, janë dy tri ujëmbledhës në drejtim të Kopanikut, ku edhe disa puse sa e di unë janë në territor të Serbisë. Ky ka qenë problem kryesor. Kurse ne kemi bisedu me kryeministrin që të merret prej Ujmanit, që të vazhdohet këtu. Diku 5 deri në 6 milionë kushton deri këtu me ardhë. Problemi kryesor është nuk duan këta me bashkëpunu me neve”- u arsyetua Hetemi.
Jeta Xharra pyeti kryetarin se takimet me Kurtin a janë vetëm llafe apo projekte të realizuara në praktikë.
Hetemi përmendi projektin e maternitetit si investim që do të bëhet në Komunën e Leposaviqit, për të cilin ai thotë se ka biseduar me kryeministrin.
“Jo, kontrata hala nuk është nënshkruar, ata duhet me pru. E kemi gjetë një ndërtesë ku është shumë e përshtatshme, ku janë ardhë e kanë këqyrë, tash duhet me i çu ata ekspertët me këqyrë situatën e objektit, qysh është edhe me ba konstruksionin qysh doket aty” – tha mes tjerash Hetemi.
“Presioni nga ndërkombëtarët” për mos-ndërtimin e parqeve
“Presioni nga ndërkombëtarët” për mos-ndërtimin e parqeve
Asnjë hapësirë rekreative, asnjë park nuk është ndërtuar për një vit e gjysmë në Komunën e Leposaviqit, madje as nuk është planifikuar në buxhet.
Këtë e konfirmoi Hetimi, i cili tha se ka presion nga ndërkombëtarët përmes kryeministrit Kurti, qoftë për ndërtimin e vetëm një parku.
“Ne e kemi problem këtu, jo parkun, ma s`pari nuk e dijmë ku i kemi tokat e komunës, nuk është problem për park, parkun e kemi këtu në mes dy shkollave, është park shumë i mirë edhe në kohën e ish-Jugosllavisë që ka ekzistuar. Por nuk lejohet edhe nëse do ti me intervenu, dikush i bën presion atje prej ndërkombëtarëve, Hovenieri p.sh., ai shkon për gjithçka i thotë kryeministrit”- tha kryetari.
Se hasin sfida të tilla e tha edhe nënkryetarja e Leposaviqit, Marina Bogojeviq, e cila theksoi se është shumë e vështirë të punohet me një administratë që është jashtë komunës së Leposaviqit. Pra, administrata sipas saj menaxhohet nga Komuna e Podujevës.
“Një nga problemet kryesore është administrata, momentalisht tërë administratën e komunës sonë e mbanë Komuna e Podujevës. Andaj për çdo projekt dhe çdo punë që e bëjmë, na kontrollon Podujeva dhe është e pamundur që të veprojmë lirshëm dhe në mënyrë vetanake deri sa të lirohemi nga kontrolli që e kemi nga Komuna e Podujevës”– përfundoi ajo.
Ish-nënkryetarja e Komunës së Leposaviqit, Dragana Miletiq e njohur me nofkën “Beba” ishte shkarkuar, sepse e njëjta dyshohet se ka konsumuar substanca narkotike.
“Na nuk e dijmë a ka qenë në komunë, a nuk ka qenë në komunë. Ajo edhe në polici ka thënë që ‘mua më kanë përdorur, janë mundu me më shantazhu’, por nuk më ka interesu ajo pjesë, e kam shkarkuar. Nuk e ka mohuar që ka pi drogë”- tha Hetemi.
Në vend të saj është emëruar si nënkryetare Marina Bogojeviq.
Në debatin “Jeta në Komunë” u diskutua shkarkimi i zëvendësitministrit për Kthim dhe Komunitete, Radoica Radomiroviq.
Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi thotë se asnjëherë nuk ka qenë pro bashkëpunimit me të, ani pse i është kërkuar nga ministrat e Qeverisë së Kosovës.
“Unë në atë kohë kam qenë 7 muaj i mbyllur, kam pas takime me Radoicën shumë herë. Kam pasë presion edhe prej disa ministrave (Elberti e Rashiqi) që unë të bashkëpunoj me të. Një kohë kemi pasë mosmarrëveshje me të, unë i kam thanë si njeri që t’u kisha lutë mos hajde më në komunë. Ma ka marrë mendja që u keqpërdorë ardhja e tij këtu. Edhe nga ana e KFOR-it amerikan që ia kanë ndalu me hy atij (Radoicës), Arbër Vokrrit dhe ministrit Krasniqi”- tha kryetari.
Derisa flet për miqësinë e ish-zëvendësministrit Radoica Radomiroviq me zëvendësministrin e Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, Heteimi thotë se “janë jarana që pjnë e këndojnë bashkë”
“Jaran e ka aq shumë sa që shkon edhe pi me të, këndon me të, nëpër kafe”- tha Hetemi.
Me gjithë mospajtimet që ka pasur me Radoica Radomiroviqin, Hetemi thotë se është falënderues ndaj tij për faktin se serbët e parë në komunë i ka sjell Radomiroviqi.
Ndonëse babain nuk ia pëlqeu, Hetemi në komunë ende e ka të emëruar në pozitën e drejtorit, djalin e Radoica Radomiroviqin.
“Është shumë djali i mirë. Është drejtor prej fillimit është punëtor. Kështu që me të nuk e kam asnjë problem. Ai e ka babën pak më tjetër, ky është ma tjetër, djali i ri, kështu jemi në rregull”.
“Lista e zezë” e KFOR-it dhe ndalesa ndaj qeveritarëve për hyrjen në Leposaviq
Kryetari Hetemi foli për një “listë të zezë” të KFOR-it që sipas tij ia kishin ndaluar disa zyrtarëve qeveritarë vizitën në zyrën e kryetarit të Leposaviqit.
“Ka vazhduar i njëjti avaz, kështu që dikur ma ndaluan komplet qeverinë, kur erdhën amerikanët ma qitën me letra, me fotografi. Iu thash a jeni bre në veti a jeni normal? Qysh funksion kryetari pa një qeveri komplet që e keni shti në listë të zezë? Të gjithë, ma s`pari Radoica, zëvendësministrin Arbër Vokrri, Elberti e rend, pos kryeministri edhe shefja e shtetit nuk kanë qenë në këtë listë të zezë”- potencoi Hetemi.
Sipas këtij të fundit, kjo ka ndodhur për shkak se KFOR-i ka menduar që hyrja e ministrave në komunë po sjell probleme.
“Kanë menduar që po sjellin probleme, nuk kanë menduar që do të vjen koha që, unë iu kam thanë amerikanëve që nuk dalë prej këtu pa u stabilizu gjendja edhe qytetari serb me ardhë këtu e mos me shku në Bistricë me u maltertu edhe kështu ka qenë”- përfundoi Hetemi.
Pas publikimit të debatit “Jeta në Komunë”, forca shumëkombëshe e udhëhequr nga NATO në Kosovë thotë se deklaratat se KFOR-i ka një ‘listë të zezë’ me emrat e disa zyrtarëve të institucioneve të Kosovës që ua ndalon hyrjen në Leposaviq janë “të pabazuara” dhe se këto deklarata i kundërshtohen me vendosmëri.
Përmes një komunikate, KFOR-i fton të gjithë akterët që të përmbahen nga deklarata dhe veprime të njëanshme që mund të krijojnë tension të panevojshëm dhe efekte negative në stabilitetin e rajonit.
“KFOR-i nuk interferon në të drejtën e lëvizjes së individëve nëpër Kosovë. KFOR-i gjithashtu siguron komunikim të rregullt me të gjithë homologët kyç” – thuhet mes tjerash në komunikatë.
Familjarët e Lulzim Hetemit, Vesel Hetemi e Albulena Hetemi janë përfitues nga skema e Qeverisë së Kosovës për ndërtimin e shtëpive në veri të vendit.
“Vesel Hetemin, baba jem e ka djalë të mixhës. Nuk e di a ka përfitu shpi në veri. Albulena Hetemin qashtu si njëjtë ”- konfirmoi vetë kryetari.
Edhe asamblisti nga Lëvizja Vetëvendosje, Eshref Bekteshi, i cili shihet i pranishëm në sallë gjatë debatit “Jeta në Komunë” është përfitues për ndërtimin e shtëpisë.
Ai thotë se e ka fituar me meritokraci.
“Kam banu në shtëpinë e vëllait në Koshtovë. Qaty ku është sos ajo, e kam mbaru tjetrën. Sot hala janë gërmadhat që m`u ka kallë gjatë luftës, nuk kam ndërtu kurrë shtëpi deri tash. Po, qeveria është duke e ndërtu të re”- tha Bekteshi.
Familjarja e kryetarit, Albulena Hetemi njëherit edhe asambliste në këtë komunë nuk ishte e pranishme në debat.
Çka punoi këtë vit dhe cilat janë prioritetet e Lulzim Hetemit për vitin 2025?
Drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Leposaviqit, Marina Zdravkoviq në emisionin “Jeta në Komunë”, tregoi për ndihmën financiare të ofruar për rastet sociale te fëmijët e sëmurë në këtë komunë.
“Gjatë vitit të kaluar kemi siguruar ndihmë financiare për 970 qytetarë, në tri kategori: shëndeti, arsimi dhe bujqësia. Sa i përket shëndetësisë kemi ndarë nga 500 euro për 640 qytetarë. Ndihmë financiare për sëmundjet, rastet sociale dhe fëmijët e sëmurë”- tha Zdravkoviq.
Ndërsa sipas drejtoreshës Arjeta Tahiri, në fushën e arsimit janë ofruar bursa për studentë e në bujqësi subvencione për fermerët.
“Në fakt në vitin 2023 komuna ka ndarë fond tek bujqësia, 238 përfitues kanë qenë nga 500 euro, kurse tek bursat për studentë kanë qenë 94 persona. Përafërsisht nga 300 euro, të gjithë kanë qenë serbë. Në vitin e kaluar kanë qenë vetëm serbë dhe boshnjakë, kurse përfitues të tri fshatrave (shqiptarë) nuk kanë qenë në vitin e kaluar”- tha Tahiri.
Kompleksi Sportiv dhe materniteti në Leposaviq janë prioritet e kryetarit Lulzim Hetemi për vitin 2025.
“Tjetër qendrën sportive e kemi prioritet këtë vit edhe vitin që vjen në Leposaviq, fushën e sportit në Leshak, ku ia kemi nis edhe atje me punu. Disa rrugë i kemi në anën e djathtë, i kemi që na i kanë pru qytetarët peticion kanë bërë, kemi dalë në terren i kemi këqyrë”- tha Hetemi.
Kryetari theksoi se i kanë pranuar mbi 4 mijë aplikime për subvencione në bujqësi nga qytetarët e Leposaviqit.
Emisionin e plotë mund ta ndiqni më poshtë.