Qyteti i Leposaviqit FOTO-KALLXO.com
Qeverisja e Leposaviqit e heshtur karshi kritikave nga banorët
Uji i pijshëm, kanalizimi, mungesa e ambulancave në fshatra, probleme me transportin e mungesa e infrastrukturës janë disa nga problemet e përmendura nga qytetarët e Leposaviqit në hulumtimin e “Jeta në Komunë”.
Zoran Todiq, Kryetar i kësaj komune nuk ka pranuar të intervistohet dhe të përballet me të gjitha hallet e përmendura nga banorët por edhe gjetjet e hulumtimit për mangësitë e qeverisjes në Leposaviq,
Për banorët njëri nga problemet kryesore është uji i pijes. Gjatë verës qytetarët përballen me reduktime nga katër orë deri në disa ditë ndërsa në projekte ende nuk figuron zgjidhje për problemin e ujit të pijes. Ankesa për mungesën e ujin ka edhe qytetari Ivan Vuçkoviç.
“Furnizimi me ujë është gjithmonë i pranishëm si temë në këtë komunë prej se unë jetoj këtu, 44 vjet, gjithmonë flitet se do ta zgjidhin këtë, por problemi është aq i madh dhe ka disa vite që është vetëm duke u përkeqësuar. Më parë problemin me ujë e kemi pasur në kuptimin që nuk ka pasur ujë gjatë verës, thaheshin burimet, kurse tani problemi ka filluar të shfaqet edhe vjeshtës edhe dimrit. Pra, me shirat e para vjen deri te problemi i turbullimit në burime, furnizimi me ujë automatikisht ndërpritet dhe ne thjesht përsëri nuk kemi ujë” tha Vuçkoviç.
Leposaviqi është njëra nga komunat me më së shumti lumenjtë në Kosovë. Rrjedhat e pastërta ujore të kësaj komunë shumë lehtë do mund të shndërroheshin në ujësjellës për të gjithë. Mirëpo qytetarët rrëfejnë se uji i pijes nuk arrin as në lagjen ku jeton vet kryetari Zoran Todiq.
Investimet në ujësjellës për banorët e zonës janë premtuar për një kohë të gjatë mirëpo edhe përkundër premtimeve projektet kanë mbetur në letër. Madje për të zhvilluar projekte të tilla ishin të interesuar edhe donatorët ndërkombëtarë mirëpo investimet ende nuk kanë ndodhur.
Problemin e ujit po e potencon edhe qytetari Urosh Nikoliq,
“Ju nuk keni njërin nga burimet esenciale për të jetuar dhe banuar diku në qytet. Për shembull, të kujtojmë se vitin e kaluar madje për katër ditë të tëra nuk kemi pasur asnjë pikë ujë. Dhe, në të gjitha këto kushte, njeriu duhet të funksionojë, kjo është me të vërtetë e vështirë. Kur them se diçka është esenciale, kjo do të thotë se është e domosdoshme, dhe se gjatë ditës ju duhet të bartni ujë. Shumë do të thonë se ne nuk i paguajmë borxhet ndaj ujësjellësit por unë them se do të jem i pari që do ta paguaj faturën e ujit nëse dikush ia del të më furnizojë që të kem ujë në shtëpi”. theksoi Nikoliq.
Qytetari tjeter, Nenad Radosavleviq tha se kanë dëgjuar shumë premtime e plane për zgjidhjen e këtij problemi.
“Kaherë ekziston ideja, perspektiva, planet për këtë, madje edhe Bashkimi Evropian, përkatësisht Komisioni Evropian, ka qenë i përfshirë në projektin që të bëhet një liqe ndalues në lumin Moshniçka ose në cilindo lum tjetër, pa ndonjë preferencë, kemi ne mjaft pellgje të tilla që janë shumë të mira, cilësore por assesi për shkak të asaj që e përmenda të parën, për shkak të mungesës së përvojës, njohurive dhe arsimimit të njerëzve që menaxhojnë komunën, nuk ka ardhë deri te realizimi i një projekti të tillë”, potencon Radosavleviq.
Përpos ujit banorët e Leposaviqit vazhdojnë ta kenë problem ndotjen e ambientit. Në zona të caktuara nuk mblidhen mbeturinat ndërsa kompania e cila mbledh mbeturinat e qytetit ka ndërtuar një deponi e cilas shtrihet shumë afër lumit të zonës duke ndotur kështu ujërat e pastërta të lumit.
“Deponitë e egra janë problem gjithandej. Pra, kemi të tilla përgjatë rrugëve rajonale, deponi në fshatra përgjatë lumenjve dhe këto paraqesin ndotës të mëdhenj. Por çështja është se Leposaviqi nuk ka deponi zyrtare, se nuk kanë ku t’i çojnë mbeturinat nga ndërmarrja komunale publike. E kanë bërë, siç thatë, atë deponinë e përkohshme, pranë Ibrit, e cila tani paraqet një shëmti të vërtetë duke pasur parasysh atë se ne duam që ky të jetë një mjedis ekologjik, i pastër, ajo deponi është vërtetë një shëmtirë”, tha qytetari Vuçkoviç.
Përpos mbeturinave të zakonshme në Leposaviq banorët përballen me ndotjen që vie nga mbetjet industrial të Trepçës. Një zonë e tërë në këtë komunë mbulohet herë pas here nga pluhuri I rrezikshëm i cili vie nga deponia e rrezikshme, kjo po i shkakton probleme qytetarit i cili ka plantacion të kultivimit të mollës.
“E saktë, këtu ka problem me mbeturinat e xeheve, konkretisht ne kemi problem me pluhurin, kur fryn era e ngrit pluhurin nga mbetjet atje dhe kjo është kështu që prej se di për veten. Megjithatë, viteve të fundit ky problem shkon duke u rritur, sipërfaqja e deponisë së mbetjeve është shumë më e madhe se që ka qenë më parë, kështu që nga dita në ditë problemi shkon duke u rritur. I jemi drejtuar, thënë sinqerisht nuk kemi shkuar më larg se pushteti lokal, por me sa kanë fuqi ata kemi biseduar për atë problem, megjithatë kjo i tejkalon mundësitë e tyre dhe gjendjen e tyre financiare”. Tha Zlatko Sekulliq.
Në disa zona të fshatrave rrugët ende janë të dëmtuara dhe vështirë të kalueshme për banorët e zonës.
Pamjet e rrugës në fshatin Qirkoviq tregojnë gjendje jo të mirë të rrugës e cila ka nevojë për investime komunale.
Probleme me rrugë dhe transport kanë edhe banorët e fshatit Cerajë dhe Bistricë e Leposaviqit. Ata ankohen se rruga është asfaltuar vetëm deri në Koshtovë ndërsa dy fshatrat nuk kanë rrugë të asfaltuar. Tri fshatrat nuk kanë transport publik pasi kontrata e transportit të banorëve është ndërprerë.
Fadil Muharremi banor i fshatit Bistricë tregoi për vonesat në projektin e rrugës.
“Problemi i parë është se nuk ka rrugë ky fshat është futur disa herë ne projekt është rregulluar deri diku dhe ka mbetur e pa përfunduar ne kemi mbetur në mëshirën e askujt”, tha Muharremi.
Edhe Driton Hetemi thotë se problemet e banorëve atje janë të shumta.
“Probleme ka shumë por kryesore e kemi rrugën, disa herë ka filluar por ka mbetur e pa përfunduar ndërsa kanalizim nuk kemi”, theksoi Hetemi.
Banori tjetër i fshatit Cerajë xhafer Halili përveç rrugës e përmend edhe mungesën e transportit.
“Nuk vjen kush me na i pa sytë në këtë vend kemi mungesë të rrugës, mungesë të transportit kemi mungesë të barnave e të mjekut këtu vdes njeri duhet me dërgua me qebe apo karrocë se nuk ka rrugë”, tha Halili.
Performanca e Komunës
Në vitin 2019, Komuna e Leposaviqit kishte 4,841,056 euro buxhet për ta harxhuar ndërsa arriti ta shpenzojë 89 për qind apo 4,290,990 euro buxhet të realizuar me një diferencë prej 550,066 euro.
Sipas auditorit, komuna pati ngecje për 8 për qind në realizimin e buxhetit në raport me vitin 2018.
Leposaviqi është në mesin e komunave me performancën më të ulët nga të gjitha komunat e vendit.
Në raportin e vlerësimit të performancës kjo komunë zë vendin 34 dhe nga 118 indikatorët komuna është vlerësuar me zero pikë në 70 indikatorë.
Transparenca, mbledhja e të hyrave ndërtimet pa leje, planet rregulluese respektimi i barazisë në punësim dhe shumë indikatorë të tjerë në këtë komunë janë vlerësuar me zero pikë. Në këtë komunë vetëm katër drejtori nga 14 sa janë gjithsejtë udhëhiqen nga gratë.
Nën menaxhimin e Zoran Todic komuna e Leposaviqit ka një performancë të mirë në shpenzimin e buxhetit pasi arrin që të shpenzoj rreth 89% të fondeve për investime mirëpo të dhënat e Auditorit Gjeneral tregojnë se komuna ka dështuar të grumbulloj të hyra nga taksat komunale.
Komuna ka planifikuar që të mbledhë 24 mijë euro të hyra ndërsa të dhënat tregojnë që vetëm 1 600 euro taksa ishin paguar gjatë vitit 2019.
Raporti i auditorit tregon se Leposaviqi nuk mbledh tatimin në pronë dhe nuk vjel taksën për leje të ndërtimit. Në mungesë të të hyrave komuna ka më pak mjete për të investuar në infrastrukturë dhe në projekte për të mirën e qytetarëve.