Qeverisja e Bedri Hamzës në tre vite, mes kritikave të opozitës e kërkesave të qytetarëve

Opozita në Mitrovicë të Jugut ka kritikuar fort Bedri Hamzën për mos-pjesëmarrje në debatin “Jeta në Komunë”, ndërsa qytetarët kanë kërkuar nga kandidati i PDK-së për kryeministër mbushjen e premtimeve zgjedhore për Komunën.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2021, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, e fitoi garën për të parin e Komunës së Mitrovicës së Jugut pa pasur nevojë për balotazh. Gjatë fushatës zgjedhore ai kishte bërë disa premtime për qytetarët e qytetit prej nga vjen.

Vetë Bedri Hamza nuk pranoi që të marrë pjesë në “Jeta në Komunë” që të ballafaqohet me premtimet dhe kritikat e opozitës. Në diskutim mori pjesë numri dy Komunës së Mitrovicës, Arian Tahiri.

Premtimet e Hamzës

Gjatë mandatit qeverisës, kryetari Bedri Hamza kishte premtuar ndërtimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF). Objekti i ri i QKMF-së në Mitrovicë të Jugut ka nis të ndërtohet më 19.08.2022, por ende nuk ka përfunduar.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Komuna ka deklaruar se funksionalizmi i QKMF-së do të ndodhë në fillim të vitit 2025.

Një projekt tjetër i premtuar i Bedri Hamzës gjatë zgjedhjeve ishte përfundimi i rrugës “Ali Zeneli” me gjithë infrastrukturën përcjellëse, si kanalizim, rrugë, ujësjellës dhe ndriçim publik. Tre vjet pas, kjo rrugë ende nuk ka përfunduar dhe punimet në të janë duke vazhduar.

Nënkryetari Arian Tahiri ka dhënë arsyet pse nuk u përfundua ky projekt.

“Rruga “Ali Zeneli” është një sfidë për të gjithë qytetarët e Mitrovicës. Kur e kemi marrë planin teknik në detaje sepse nuk ka pasur një plan teknik, pastaj për një vit kompanitë janë shtyrë në OShP me njëra-tjetrën. Kontrata është nënshkruar në vitin 2023, kanë nis me një vit vonesë punimet për shkak të prokurimit”- ka thënë Tahiri në “Jeta në Komunë”.

“Unë pres që në këtë vit të bëhet lidhja me rrethin kryesor, ndërsa i gjithë projekti ne presim që do të përfundoj brenda afatit, deri në 2025”- ka deklaruar nënkryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri.

Tutje, i pari i Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2021 kishte premtuar ri-rregullimin e sheshit qendror të qytetit. Sipas komunës, projekti ka nisur të trajtohet dhe disa nga investimet e parapara kanë ndodhur. Megjithatë, projekti ende nuk ka përfunduar në tërësi.

Një projekt tjetër i prezantuar në zgjedhje nga Bedri Hamza ishte ai për Stacionin e Autobusëve. Kryetari i Mitrovicës së Jugut premtonte që ta dislokonte stacionin nga lokacioni aktual tek stacioni hekurudhor. Por, në tre vet qeverisje, ky projekt ende nuk ka nisur.

Bedri Hamza pati premtuar ndërtimin e ujësjellësit për fshatrat Vllahi, Melenicë dhe Zabërgjë, por as ky premtim nuk është mbajtur në tre vite qeverisje.

“Jo, nuk kemi ujësjellës në Melenicë. Kërkesë kemi bërë edhe për ujësjellës, edhe për me na çel puse, po nuk po na marrin parasysh”- ka thënë Zeqir Meholli, banor nga fshati Melenicë.

“Unë kam qenë për katër vite përfaqësues i fshatit, në çdo mbledhje që e kemi pas në Komunë, si përfaqësues unë kam kërku me ndërtu ujësjellësin, kurrë ‘jo’ nuk kanë thënë, por kurrë ‘po’ nuk është bërë”- ka thënë Ramadan Ademi, banor i fshatit Vllahi.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Komuna ka thënë se ka përfunduar projektin teknik për sistemin e ujësjellësit dhe është bërë planifikimi në buxhetin 2024-2027.

Kritika e opozitës

Kreu i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, nuk pranoi të marrë pjesë në debatin “Jeta në Komunë”. Në vend të tij, për premtimet dhe projektet gjatë tri vjet qeverisjeje u përgjigj nënkryetari, Arian Tahiri.

Mospjesëmarrjen në debat të Bedri Hamzës, opozita e quajti ‘ikje nga përgjegjësia’.

“Ne shprehim shqetësimin e mungesës së kryetarit në debatin e sotëm sepse tekefundit ky është debat me kryetarin dhe sa i përket neve, ky është një lloj dezertimi detyra dhe nga ata qytetarë që e kanë votuar”- deklaroi Faruk Mujka, shef i Grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Kur nuk mund të jesh në ballë të komunës, nuk e di prej nga vjen kurajo me qenë në ballë të qytetit. Mungesa e kryetarit është shenjë e ikjes nga përgjegjësitë për keqqeverisjen për këto tre vjet”- tha tutje ish nënkryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut.

Kritika për qeverisjen lokale adresoi edhe asamblisti i Vetëvendosjes, Hysen Muzliukaj.

“Pyetja ime ka të bëjë me anijen tek liqeni, ajo ka kushtuar 97 mijë e 828 euro dhe nuk është funksionale. Në kontratë thuhet që nuk guxon të jetë pajisje e përdorur dhe e ngjyrosur. Liqeni ka një vit që është në gjendje të papastër”- ka thënë asamblisti i LVV-së.

“Anija është ardhur, por nuk ka hy asnjëherë në funksion”- tha Muzliukaj në “Jeta në Komunë”.

Por, me këto konstatime nuk u pajtua nënkryetari, Arian Tahiri.

“Ne e kemi ble një anije të re, e kemi angazhu një ekspert të pavarur për ta vlerësuar nëse anija është re. Ka qenë sipas kërkesave”- ka thënë Tahiri.

“Anija është funksionale, është aktive dhe këtë mund ta vërtetoni. Ka punuar edhe verën e kaluar edhe këtë verë”- tha numri dy i Komunës së Mitrovicës së Jugut.

Performanca nga MAPL dhe vlerësimi i GAP-t

Për çdo vit, Ministria e Pushtetit Lokal, harton raportet e performancës për komunat e Kosovës në disa fusha të caktura. MAPL ka vlerësuar se në fushën e barazisë në punësim dhe shërbime sociale Mitrovica e Jugut është komuna e 16-të, në fushën e mirëmbajtjes së hapësirave publike ndodhet në vendin e 21-të. Mitrovica është renditur si komuna e 22-të në fushën e Transportit Publik, ndërsa zë vendin e 18-të në fushën e mbrojtjes së mjedisit. Komuna që drejtohet nga Bedri Hamza i PDK-së është renditur në vendin e 23-të në kujdesin Primar Shëndetësor.

Në anën tjetër, Instituti GAP për Komunën e Mitrovicës së Jugut ka matë 123 premtime në total. Sipas vlerësimit të GAP, 69 premtime janë të përfunduara, 15 gjysmë të përmbushura, 30 premtime të tjera kanë filluar dhe 9 premtime nuk kanë filluar ende të përmbushen.

“Shiriti i kryetarit”

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza dhe drejtorët komunalë në vazhdimësi publikojnë materiale në rrjete sociale nga projektet që planifikohen, nisin ose përfundojnë nga qeverisja lokale në këtë komunë.

Në shtator të vitit 2023, Bedri Hamza publikoi fotografi të rrugës së Shipolit. Projekti u promovua edhe nga drejtori i Infrastrukturës, Granit Tmava. Por, vetëm një vit pasi përfundoi projekti defektet e para shihen në terren. Trotuari i rrugës është i dëmtuar, ngjyra e shtigjeve për biçikleta është shlyer e disa prej shtyllave të ndriçimit publik janë lënë në pjesë të shtigjeve për biçikleta.

Për këtë projekt, nënkryetari i komunës tha që ende nuk është bërë pranimi teknik.

“Në rrugën e Shipolit, në disa pjesë edhe ne kemi konstatu që punimet nuk e kanë cilësinë e nevojshme. Një pjesë e madhe e tyre nuk janë pranuar dhe kompania nuk i ka marrë paret ndërsa për një pjesë të punimve kompania është detyruar me kryer punimet herë të dytë”- ka thënë Tahiri.

Një projekt tjetër i promovuar në rrjete sociale ishte ai i vendosjes së E-Kioskave. Bedri Hamza, bashkë me drejtorin e Administratës, Gëzim Stavileci, promovuan vendosjen e tyre në fshatin Kçiq i Madh dhe në Shipol. Por, ekipi i KALLXO.com gjeti se në fshatin Kçiq i Madh, E-Kiosku i promovuar është jashtë funksionit dhe i thyer. Po ashtu, edhe E-Kiosku në Shipol ishte jashtë funksionit më 08.11.2024.

“E-Kiosku në Kçiq është dëmtuar dhe për këtë i kemi hapur procedurat për ta ri-rregulluar, ajo është dëmtuar dhe është i hapur rasti edhe në polici të Kosovës. Sa i përket E-Kioskut në Shipol po befasohem sepse ka qenë funskionale, do ta trajtojmë që nesër”- tha Gëzim Stavileci, drejtor i Administratës në Komunën e Mitrovicës së Jugut.

Kryetari Bedri Hamza promovoi projekte edhe në fushën e arsimit. Renovimi i Shkollës së Mesme Ekonomike “Hasan Prishtina” ishte njëri ndër to. Por, disa muaj pas renovimit, pamjet tregojnë që fasada ka nisur të dëmtohet.

“Projekti për renovimin e shkollës ka qenë nga projekti i efiçiencës, është kontraktuar dhe mbikëqyrë nga ata”- ka thënë nënkryetari Arian Tahiri.

Gjendja në Shkollën “Avdullah Shabani”

Gjatë debatit komunal për Komunën e Mitrovicës së Jugut u fol edhe për gjendjen e Shkollës Fillore “Avdullha Shbani”. Zyrtarët komunal kanë konfirmuar se objekti i shkollës nuk i plotëson standardet për mbajtjen e mësimit. Për këtë, ata kanë thënë se kanë nis procedurat për të nis gjetjen e fondeve për ndërtimin e një objekti të ri.

Shkolla “Avdullah Shabani”, Foto: KALLXO.com

“Shkolla është në një gjendje të papranueshme, është një objekt i vjetër. Ka qenë një kërkesë e Këshillit të Prindërve që e kanë sjell tek ne dhe në Ministri të Arsimit. Një komision i komunës ka konstatu që nuk i plotëson kushtet që në perspektivë të mbahet mësimi. Kemi kërkuar nga ministria dhe disa organizata për me gjetë donacion për ndërtimin e ri të objektit”- ka shpejtuar Arian Tahiri.

Deponitë ilegale të mbeturinave

Gjatë hulumtimit, në disa lokacione në Mitrovicë të Jugut ekipi hulumtues ka zbuluar deponi ilegale të mbeturinave. Qytetarët janë ankuar që mbeturinat nuk po pastrohen në rrugën “Ismail Loshi”, tek banesat e socialit në Mitrovicë.

Një grumbull i madh me mbeturina është parë edhe në lagjen “Adem Voca”, lagje e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas, ndërsa deponi me mbeturina është vërejtur edhe afër Zonës Ekonomike, mes Vaganicës dhe Shupkovcit.

Për gjendjen me mbeturina është përgjigjur nënkryetari i komunës, Arian Tahiri. Ai tha se janë shpërndarë edhe gjoba për ata që kanë hedhur mbeturina.

“Dua ta falënderoj kompaninë “Uniteti” sepse në vazhdimësi angazhohen në pastrimin e mbeturinave por në çdo tre-katër ditë shohim gjendje të tillë. Për këtë ju flet edhe drejtori i inspektoratit”- ka thënë Tahiri.

Në anën tjetër, drejtori i Inspektoratit në Komunën e Mitrovicës së Jugut ka thënë që kanë qenë njëra prej qeverisjeve lokale më aktive në shpërndarjen e gjobave për ata që e kanë ndotë ambientin.

“Në lgjen “Adem Voca” kemi shqiptuar tri gjoba, të cilat i kemi proceduar edhe te përmbaruesi por nuk janë paguar kurrë. Ne e kemi dënu edhe kompaninë “Uniteti” kur nuk ka marrë masa për pastrimin e mbeturinave aty ku e ka pasur obligim”- ka thënë Valon Brahimi drejtor i Inspektoratit.

“Prej vitit 2023 i kemi shqiptuar 60 gjoba kundër ndotsve të mjedisit”- tha ai.