Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe anëtarët e presidencës boshnjake Sefik Xhaferovic, Zheljko Komsiq dhe Milorad Dodik në Beograd, tetor 2019. Foto: EPA-EFE/ANDREJ CUKIC.

Qeverisë turke i kërkohet të flasë hapur për krizën politike në Bosnjë

Organizatat boshnjake dhe OJQ-të e tjera ballkanike në Turqi i kërkuan qeverisë turke të bëjë më shumë për të mbështetur boshnjakët pas tensioneve në rritje në Bosnje dhe Hercegovinë, ku udhëheqësit serbë të Bosnjës kanë kërcënuar të braktisin institucionet shtetërore.

Dhjetëra organizata boshnjake dhe OJQ tjera ballkanike në Turqi i kanë bërë thirrje qeverisë turke të mërkurën që ta thyejë heshtjen dhe të flasë në emër të boshnjakëve në Bosnje dhe Hercegovinë pasi politikanët serbë të Bosnjës kërcënuan se do të largohen nga institucionet shtetërore dhe do ta rithemelojnë ushtrinë e tyre.

Letra e përbashkët e OJQ-ve ishte kritike po ashtu edhe ndaj mosveprimit të komunitetit ndërkombëtar dhe solli ndër mend pasojat e luftës së viteve 1990 në Bosnje.

“Marrë parasysh përvojat e hidhura të lëna nga komuniteti ndërkombëtar në këto treva, Bosnja dhe Hercegovina nuk ka ndonjë përkrahës, mik dhe të besuar tjetër përveç Turqisë. Mbështetja e atdheut tonë është forca më e madhe për boshnjakët në Bosnje dhe Sanxhak [rajon me shumicë myslimane në Serbinë jugore dhe në Malin e Zi verior]”, thuhet në letrën në fjalë.

Letra kërkon nga presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan dhe qeveria e tij që ta ngrisin zërin për krizën në Bosnje.

“Duhet tu bëhet me dije atyre që i bien daulleve të luftës dhe i mbështesin ata në prapaskenë se Bosnja dhe Hercegovina dhe boshnjakët nuk janë të vetëm”, thuhej në letër.

Muhammet Sanxhaktar, një nga nënshkruesit e letrës së përbashkët dhe president i Shoqatës së Sanxhakut të Bosnjës në Turqi, OJQ-ja më e madhe e diasporës boshnjake në vend, tha për BIRN se qeveria e Ankarasë duhet të veprojë.

“Turqia ka ndoshta numrin më të madh të boshnjakëve në botë. Përveç kësaj, një konflikt në çdo pjesë të Ballkanit do të përhapet në mënyrë të pashmangshme në të gjithë rajonin. Kjo padyshim do të (…*) sigurinë rajonale dhe jetët e të afërmve tanë boshnjakë,” tha Sanxhaktar.

Numri i boshnjakëve dhe njerëzve me origjinë nga Ballkani në Turqi nuk dihet pasi kushtetuta e Turqisë e ndalon mbajtjen e shënimeve për origjinën etnike të popullit të saj dhe i llogaritë të gjithë qytetarët e saj si turq.

Megjithatë, sipas vlerësimeve akademike, 20 deri në 25 për qind e popullsisë 83 milionëshe të Turqisë kanë disa rrënjë nga Ballkani dhe kanë migruar në Turqi pas rënies së Perandorisë Osmane. Valët e migrimit vazhduan pas Luftërave Botërore dhe u intensifikuan në vitet 1950 dhe 1960. Vala më e fundit e migrimit ndodhi pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe luftërave në ish-Jugosllavi në vitet 1990.

Sipas të njëjtave vlerësime, ka rreth tre deri në pesë milionë boshnjakë në Turqi, kryesisht në Stamboll, Bursë dhe Izmir si dhe në qytete dhe qyteza të tjera në Trakinë Turke dhe Turqinë Perëndimore.

Gjatë sundimit 20-vjeçar të Erdoganit, Turqia ka ndjekur një politikë të jashtme proaktive në Ballkan, me Bosnjën në qendër të saj. Gjatë kësaj kohe, ndikimi politik, kulturor dhe ekonomik i Turqisë është rritur ndjeshëm në rajon.

Presidenti Erdogan e ka quajtur veten dhe vendin e tij si mbrojtës të myslimanëve, por deri më tani ai dhe qeveria e tij kanë heshtur sa i përket krizës aktuale.

Ndërkohë, udhëheqësit boshnjakë kanë lobuar në Turqi dhe aleatët e saj. Të martën, Bakir Izetbegoviq, kreu i Partisë së Veprimit Demokratik, partia kryesore boshnjake në Bosnjë, dhe kryemyftiu boshnjak Husein Kavazoviq vizituan Turqinë dhe takuan Erdoganin dhe zyrtarë të tjerë, ndërsa Sefik Xhaferoviq, anëtari boshnjak i presidencës trepalëshe boshnjake, ishte duke vizituar Azerbajxhanin, aleatin më të ngushtë të Turqisë.

Heshtja e Presidentit Erdogan është kritikuar nga disa boshnjakë në Bosnje.

“[Udhëheqësi politik serb i Bosnjës Milorad] Dodik po e shkatërron vendin dhe miku ynë [Turqia] nuk shihet gjëkundi. Erdogan ka pasur shumë fjalë mbrojtëse në mbështetje për boshnjakët dhe Bosnjën … por, është interesante, sot, kur Bosnja dhe Hercegovina dhe boshnjakët cenohen drejtpërdrejt, ‘miku’ dhe ‘mbrojtësi i madh’ ynë turk hesht,” shkroi Danijal Haxhoviq më 23 tetor në Gazetën boshnjake ‘Dnevni Avaz’.

Ambasada turke në Sarajevë i ka hedhur poshtë akuzat.

“Turqia e ka mbështetur gjithmonë Bosnjën dhe Hercegovinën qysh nga pavarësia e saj si në marrëdhëniet dypalëshe ashtu edhe në forumet ndërkombëtare dhe ajo vazhdon ta bëjë këtë edhe më tutje,” ishte deklarata e bërë nga ambasada turke më 25 tetor.