Qeveria: Zyrtarët e Bankës Botërore thanë të mos preken mjetet e Trustit Pensional

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar sot me zëvendëspresidenten e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Anna Bjerd dhe përfaqësues të tjerë të këtij institucioni.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në këtë takim është biseduar për stabilitetit institucional, si dhe sipas tyre, në këtë takim është thënë nga përfaqësuesit e Bankës Botërore që të mos preken mjetet e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trusti).

“Përfaqësuesit e Bankës Botërore thanë se presin që së shpejti të kalojë në Kuvend marrëveshja për reformën sociale, sepse ajo është përgjigja e duhur ndaj krizës inflacionare dhe jo prekja e mjeteve të trustit pensional”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Tutje, kryeministri Kurti thuhet të ketë folur për rritjen e eksporteve dhe potencialin e madh në fushën e teknologjisë së informacionit, si dhe angazhimin e Qeverisë për digjitalizim.

Po ashtu, në njoftim thuhet se Kurti ka shprehur mirënjohjen e Qeverisë së Kosovës për mbështetjen e Bankës Botërore për Kosovën në shumë fusha, duke veçuar projektin për përballjen me COVID-19.

“Duke biseduar për situatën aktuale me energji elektrike, u përmend edhe ndikimin i luftës në Ukrainë. Kryeministri bëri të ditur se jemi afër lansimit të Strategjisë së energjisë dhe ritheksoi përkushtimin e Qeverisë për energji të ripertëritshme”, thuhet në fund të njoftimit të Zyrës së Kryeministrit.

Në këtë takim përfaqësues nga Banka Botërore ishin edhe drejtoresha rajonale për Ballkanin Perëndimor, Linda van Gelder, drejtoresha e re rajonale për Ballkanin Perëndimor, Xiaoing Yu, si dhe menaxheri i zyrës së Bankës Botërore për Kosovë, Massimiliano Paolucci.