Diskutimi mbi të drejtat e Diasporës, Foto: KALLXO.com

Qeveria zotohet t’i adresojë të drejtat e diasporës në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se diaspora ka rëndësi të madhe për vendin.

Kështu ka deklaruar Kurti, në hapjen e “Tryeza e Rrumbullakët mbi të Drejtat e Diasporës”, në Qeveri, ku morën pjesë edhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla, deputetë të Kuvendit të Kosovës, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

“Mërgata ka rëndësi shumë të madhe, e rol të pazëvendësueshëm për Republikën e Kosovës, studimet tregojnë që 43% e shtëpive kanë një anëtarë që jeton jashtë, ndërsa remitancat kanë një vlerë 1.4 milion dollarë. Jemi duke punuar që diasporën tonë ta angazhojmë në disa mënyra, ajo mund të kontribuojë krijimin e ndërmarrjeve, lidhjeve tregtare”, ka thënë ai.

Kurti ka shtuar se janë duke u angazhuar për zhvillimin e një debati te gjithanshëm me diasporën.

“Kjo qeveri është e përkushtuar që t’i adresojë të gjitha të drejtat politike, duke filluar nga e drejta e votës se lirë. Qeveria është duke punuar vazhdimisht që të krijojë të gjitha kushtet që krahas investimeve, mërgata të sjellë edhe dijen”, është shprehur ai.

Kurse, Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tha se e kanë hartuar një rregullore të re të funksionimit të brendshëm të ministrisë e cila tërësisht e përfshinë edhe Ministrinë e Diasporës.

“Kam parë që fokusi ynë duhet të jetë në disa drejtime, gjëja e parë është që shërbimi ynë konsulor të jetë më cilësorë, dhe një qasje e cila mërgatën e sheh si potencial të vendit, dhe jo si punë shtesë”, tha ministrja,

Gërvalla shtoi se pa mërgatën është vështirë që Kosova të ketë një diplomaci të mirëfilltë.

“Gjëja që më së shpeshti ballafaqohen qytetarët thonë që përgatitja e diplomatëve lë për të dëshiruar, prandaj jemi përqendruar që të ndërtojmë një kurrikulë të përgatitjes së diplomatëve tanë. Përfshirja e mërgatës jo vetëm në zhvillimin ekonomik të vendit, por në radhë të parë duke u bazuar në moton secili qytetar është një diplomat, kemi nevojë ta përfshijmë mërgatën tonë”, tha ajo.